Tiranë, 7 shkurt 2025 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten më 7 shkurt paraqitjen e kërkesës për dërgimin në gjykim të një çështje penale të dytë në ngarkim të ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro dhe ndaj dy vartësve të tij, të akuzuar për shpërdorim detyre.
Në shtator të vitit të kaluar, ai u dërgua për gjykim si pjesë e një skeme tjetërsimi pronash në bregdet nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, përmes miratimit të kalimit të një toke shtet në pronësi fundore të Artan Gaçit, bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka i shpallur investitor strategjik nga qeveria “Rama”.
Në këtë hetim të dytë, Goro akuzohet se ka kryer veprime të kundraligjshme në cilësinë e kreut të Bashkisë së Himarës lidhur me procedurat e plotësimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi për familjet bujqësore, në dëm të disa shtetasve, banues në Bashkinë Himarë.
Po ashtu, së bashku me dy ish-drejtorët e drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë kësaj njësie vendore, Vasillaq Strakosha dhe Jaresimo Bashi, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe më shumë se një herë, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin lidhur me procedurat e kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve.
Goro gjendet në burg prej marsit të vitit të kaluar, kur u arrestua për tokën ku bashkëshorti i Xhaçkës, Artan Gaçi do të ndërtonte një hotel. Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi në korrik 2024 të pranojë kërkesën e SPAK për vendosjen e skuestros preventive mbi një apartament të Jorgo Goros, duke rrëzuar vendimarrjen e Shkallës së Parë që refuzoi ta sekuestronte atë pasuri.