SPAK kërkon pushimin e hetimeve ndaj Adriatik Llallës

Tiranë, 15 shkurt 2022 – SPAK ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme një kërkesë për pushimin e hetimeve ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Pas dënimit me 2 vjet burg, në dy shkallët e gjyqësorit, Adriatik Llalla ka vazhduar të jetë nën hetim përshkak të dyshimeve për “fshehje të pasurisë”.

Burimet nuk bëjnë me dije objektin e hetimit, por konfirmojnë se kërkesa për pushimin e tyre është bërë me arsyetimin se ai është gjykuar një herë për të njëjtën vepër penale.

Llalla u arrestua në Romë të Italisë më 13 dhjetor të vitit të kaluar.

Ai është shpallur fajtor dhe është dënuar për mosdeklarim dhe për fshehje të pasurisë për ndërtimin e një kati në një banese në Rrugën e Elbasanit, si edhe për fshehje dhe mosdeklarim të vlerave monetare të shkollimit të vajzës së tij dhe të lindjes së djalit në SHBA.

Ish-kryeprokurorit i janë sekuestruar 4 sipërfaqe trualli në periferi të Tiranës dhe një apartament në Durrës.

Llalla është i pari ish-zyrtar i lartë i drejtësisë që u dënua me burg. Në vitin 2018 ai u përfshi në listën e personave “non grata” nga SHBA.

(Euronews.al)