SPAK kërkon që Berishës t’i ndalohet komunikimi me persona jashtë shtëpisë

Tiranë, 26 dhjetor 2023 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) që ish kryeministrit Sali Berisha t’i ndalohet edhe komunikimi me persona jashtë banesës së tij.

Sipas kërkesës së SPAK-ut, Berisha do të mund të komunikojë vetëm me familjarët e tij, të cilët jetojnë në të njëjtën banesë me të.

Ai nuk do të mund të ketë komunikim në Facebook apo në platformat e tjera sociale.

Kjo kërkesë u paraqit nga SPAK në seancën që filloi sot (e martë) të GJKKO lidhur me masën e sigurisë ndaj z. Berisha. Vendimi i gjykatës u shty për nesër (e mërkurë), për shkak se avokatët e Berishës kanë kërkuar më shumë kohë që të njihen me aktet dhe provat e paraqitura nga prokuroria.

Avokatët e Berishës kërkuan edhe një herë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me arsyetim se ajo ka konflikt interesi me ish-kryeministrin Berisha, sepse ishte shkarkuar nga detyra nga Këshilli e Lartë i Drejtësisë, në kohën që ky organ drejtohej nga Berisha.

SPAK ka kërkuar “arrest shtëpie me mbikëqyrje policore” ndaj ish-kryememistrit Sali Berisha për dosjen hetimore lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.

Berisha ka thënë vazhdimisht se ai nuk ka asnjë përgjegjësi lidhur me këtë lëndë dhe se hetimet ndaj tij janë të motivuara politikisht. Ai e akuzon kryeministrin Edi Rama se po e përdor sistemin e drejtësesë për të shuar opozitën në Shqipëri, për shkak se ajo po denoncon me fakte abuzimet me pushtetin e me fondet publike në bashkëpunim me “oligarkët” dhe me “narko-mafinë”.

Në tetor të këtij viti, SPAK e arrestoi dhëndrrin e ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, i cili dyshohet se ka përfituar miliona euro në mënyrë të paligjshme, duke shfrytëzuar vendimet e qeverisë në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha.

(r.m.)