Njoftimi i Prokurorisë së Posaçme u bë menjëherë pasi u publikua në media shkresa dërguar KQZ-së.
Knid Ndrenika
Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka filluar hetimin kundër ish-presidentit Ilir Meta.
SPAK-u njoftoi zyrtarisht se i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit të zotit Meta, sot kryetar i Partisë së Lirisë, pasardhëse e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Sipas SPAK-ut, presidenti që përfundoi mandatin në 24 korrik 2022 hetohet në funksion të kallëzimit penal të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Halit Valteri.
Njoftimi i Prokurorisë së Posaçme u bë menjëherë pasi u publikua në media shkresa dërguar KQZ-së.
“Nisur nga interesimi i shumë gazetarëve pranë SPAK, lidhur me një kërkesë që spak i ka drejtuar KQZ, sqarojmë se ajo kërkesë është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Halit Valteri”-njoftoi SPAK-u.
Ndërkaq Prokuroria e Posaçme tha se “nuk kemi ndonjë informacion tjetër për të dhënë” dhe se “hetimet vazhdojnë”.
Ish-deputeti Valteri në qershor 2022 tha se kallëzimin kundër zotit Meta e bëri për lobime të paligjshme.
“Janë paguar qindra mijë euro për lobim, artikujt e Mother Jones dhe gazetës autriake kanë bërë publike fatura me vlerë qindra mijëra euro në shërbim të pasurisë. Meta, Kryemadhi dhe Tavo që do të kallëzohen në ditët në vijim do të përballet me fakte konkrete ku paratë e marra nga korrupsioni kanë bërë këto transferta shtetërore”-tha asokohe zoti Valteri.