Tiranë, 8 dhjetor 2023 – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) firmosi të premten urdhër arreste për 15 persona lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranës. Mes urdhërave për arrest me burg është edhe ai për Taulant Tushen, Drejtorin e Përgjithshëm të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, i cili është njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj. Urdhër arrest është lëshuar edhe për Namik Thimixhin, ish drejtorin e Bashkisë së Tiranës që merrej me menaxhimin e mbetjeve, i cili ishte në varësi direkte të Tushes.
Urdhërat e arrestit kanë prekur sërish dhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, si dhe ish deputetin socialist Alqi Bllako, si dhe dy sipërmarrësit Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të konsideruar më herët nga Prokuroria e Posaçme si pronarët e vërtetë të inceneratorit të Tiranës. Të katër, janë të përfshirë dhe në rastet e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit, për të cilët ata dhe janë dënuar në shkallë të parë, me përjashtim të Bllakos, i cili u shpall i pafajshëm në procesin për inceneratorin e Elbasanit.
Emra të tjerë, po ashtu të përfshirë dhe në procedurat për dy inceneratorët e parë, janë pjesë e listës së urdhër arresteve, krahas disa emrave të rinj, në nivelin e anëtarëve të komioneve të prokurimit, përveç rastit të Alba Thomës, ish drejtoresha juridike e Ministrisë së Mjedisit.
Këto janë arrestimet e para për inceneratorin e Tiranës, ku hetimet janë në vijim. Pak muaj më parë, Gjykata e Posaçme, e vendosi atë nën sekuestro. Në atë kohë, kryebashkiaku Veliaj, reagoi duke u shprehur se “sekuestrimi dhe heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve të Tiranës si rezultat i hetimeve të SPAK është mëse i mirëpritur në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik”. Për arrestimet që përfshinë tanimë dy drejtorë të Bashkisë, nga ky institucion nuk ka ende një qëndrim publik.
(Zëri i Amerikës)