SPAK mbyll procedurat, Adriatik Llalla shpallet në kërkim ndërkombëtar

Tiranë, 9 tetor 2021 – Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, sot i ka përfunduar procedurat për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, raporton Panorama.

Ditën e enjte, më 7 tetor, Policia e Tiranës iu përgjigj me një shkresë zyrtare SPAK-ut, ku e informonte se ish-Kryeprokurori Llalla nuk është gjetur për t’u arrestuar.

Pavarësisht kërkimeve, çdo tentativë e Policisë ka rezultuar e pasuksesshme.

Policia tha se ka bërë të gjitha verifikimet me metoda speciale, por nuk e ka gjetur, andaj dhe i kërkoi SPAK-ut të niste procedurat për ta shpallur Llallën në kërkim ndërkombëtar.

Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla, për të cilin është firmosur një urdhër arresti më 22 shtator, ditën kur Apeli i dha formë të prerë vendimit të dënimit të tij me 2 vite burg, rezulton të jetë larguar nga Shqipëria më 9 shtator.

Sipas të dhënave të sistemit TIMS, ai është larguar nga Rinasi në drejtim të Italisë, por nuk dihet se cili ka qenë destinacioni i tij përfundimtar.

(Panorama.al)