Tiranë, 3 dhjetor 2024 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të martën më 3 dhjetor përfundimin e hetimeve ndaj deputetit demokrat, Asllan Dogjani për deklarim të rremë të pasurisë dhe dërgimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të tij.
Sipas SPAK, më datë 24 Mars 2010, Dogjani ka shënuar në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2 në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen. Në mbështetje të këtij deklarimi, ai ka paraqitur një kontratë të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila është mbështetur edhe në deklarimin e kryer në qershor të vitit 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Ndryshe nga sa ka deklaruar Dogjani, nga hetimet ka rezultuar se ai është bërë pronari i këtij apartamenti bazuar në një kontratë të shtatorit 2006, ku parashikohej se vlera e banesës do të ishte 121 mijë e 980 euro, shumë të cilën ia ka likuiduar shoqërisë përmes pagesave cash.
Prokuroria thotë se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. “Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme”, argumenton SPAK.
Dogjani ka deklaruar më parë për gazetarët se kallëzimi ndaj tij është kryer nga ndërtuesi pallatit, të cilin ai e kishte denoncuar për probleme të ndryshme.