Ish-zyrtarja Jonida Zeqo, e akuzuar për shpërdorim detyre në procedurat e inceneratorit të Elbasanit, për herë të tretë nuk gjendet në adresën ku supozohej se po kryente arrestin shtëpiak, prandaj SPAK thotë se po i verifikon rrethanat e largimit të saj.
Edmond Hoxhaj, BIRN
Për të tretën herë radhazi, forcat e policisë dhe një oficer i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, nuk arritën të gjenin të pandehurën Jonida Zeqo në adresën ku supozohej se po kryente masën e “arrestit shtëpiak” për çështjen e inceneratorit të Elbasanit.
Zeqo ka qenë anëtare e komisionit për dhënien e koncesionit dhe akuzohet nga SPAK për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim.
Relatorja e çështjes, Elsa Ulliri deklaroi në seancën e së enjtes se Zeqo nuk gjendej për herë të tretë në adresën e deklaruar prej saj, por ajo i kishte dërguar trupës gjyqësore dy emaile, përmes së cilave pretendonte se nuk mund të ishte e pranishme në gjyq për arsye shëndetësore dhe se do të përfaqësohej nga avokati Saimir Vishaj.
Përfaqësuesi ligjor i Zeqos, avokati Saimir Vishaj deklaroi se e përfaqësuara prej tij ka pasur dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës gjyqësore, por është shprehur se nuk do të marrë pjesë. Vishaj dorëzoi një prokurorë të posaçme të lëshuar nga Zeqo, që i jep tagrin e përfaqësimit edhe në mungeesë të saj.
Prokurori i SPAK, Klodian Braho dhe gjyqtarja Ulliri konstatuan se nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, rezulton se e pandehura Jonida Zeqo ka hyrë për herë të fundit në Shqipëri më datë 24 tetor 2021 dhe se nuk rezulton të ketë pasur në vijim dalje jashtë shtetit. I pyetur nga gjykata për qëndrimin e tij, prokurori Braho e cilësoi të paplotë njoftimin nëpërmjet email-it. Ai kërkoi që të kërkohet e pandehura dhe të shtyhet seanca.
Pasi u tërhoq, trupa gjykuese u shpreh se bazuar në faktin se Zeqo nuk është gjetur asnjëherë në banesë në tre tentativat e policisë për ta njoftuar, ajo po ‘i fshihet drejtësisë’. Megjithëse gjykata nuk i konsideroi email-et, vendosi që të vijohet gjykimi për të pandehurën Zeqo nëpërmjet prokurës së posaçme të lëshuar për përfaqësim të saj nga avokati Vishaj.
I pyetur nga BIRN nëse po hetohej mbi dështimin e mbikëqyrjes së zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpie” të caktuar ndaj të pandehurës Jonida Zeqo, SPAK u përgjigj se “është duke kryer verifikime”.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen verifikime në lidhje me rrethanat e largimit nga banesa të të pandehurës Jonida Zeqo. Në përfundim te këtyre verifikimeve, Prokuroria e Posaçme do të ndërmarrë veprime të mëtejshme procedurale në zbatim të kërkesave të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në përgjigjen e SPAK.
Zeqo është e pandehura e katërt që nuk gjendet për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Në kërkim janë edhe tre biznesmenët e pandehur, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, të cilët kanë lëshuar prokurora përfaqësimi nga arratia në nëntor 2022.
Çështja e inceneratorit të Elbasanit është dërguar në gjykim në dhjetor 2022 nga SPAK, por ende nuk është zhvilluar asnjë seancë. Në këtë çështje janë nën akuzë edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako.
Sipas SPAK, zyrtarët e qeverisë dhanë një koncesion me prokurim pa shpallje duke përdorur një metodë prokurimi të paparashikuar në legjislacionin e prokurimeve publike. Zyrtarët që morën pjesë në procedurën për inceneratorin e Elbasanit, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri e Serafin Papa, janë nën akuzën e abuzimit të detyrës ndërsa ish-ministri Koka është nën akuzë të trefishtë për abuzim me detyrën, korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Ndërkohë, seanca e së enjtes dështoi për shkak të mungesës së përfaqësuesit ligjor të Klodian Zotos, avokatit Ardian Leka. Seanca e radhës do të zhvillohet me 5 maj, ora 14:30.