SPAK nuk merr në shqyrtim kallëzimin e Olsi Ramës për Gazment Bardhin

Tiranë, 25 prill 2024 – Prokuroria e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk e ka pranuar kallëzimin e Olsi Ramës ndaj kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.

Prokurori i Posaçëm, Elvin Gokaj, ka vendosur për mosfillimin e procedimit penal ndaj Bardhit, sipas kallëzimit të paraqitur nga vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi.

Në arsyetimi i prokurorit të çështjes thuhet se Gazment Bardhi nuk ka bërë kallëzim dhe në rast se nuk ka një kallëzim nuk është objekt i SPAK-ut, pasi kjo mund të zgjidhet në rrugë gjyqësore për shpifje apo për cenim të imazhit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, kjo çështje është kompetencë e gjykatës, nëse një palë i drejtohet asaj.

Olsi Rama ka bërë kallëzim ndaj Gazment Bardhit me pretendimin se ka shpifur në lidhje me përfshirjen e tij në grupin e kokainës së “Xibrakës”.

Rama ka thënë se Bardhi e ka cenuar publikisht nderin dhe dinjitetin e tij, duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me laboratorin e kokinës dhe se është “në dispozicion të drejtësisë për të vërtetuar çdo akuzë të rreme”.

(r.m.)