SPAK përfundon hetimet për një të akuzuar për financim të terrorizmit

Tiranë, 23 mars 2024 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të shtunën më 23 mars përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të të pandehurit Muhamet Manollari, të akuzuar për veprën penale “Financimi i terrorizmit”.

Sipas SPAK, babai i të pandehurit Muhamet Manollari, Mehdi Manollari është larguar në maj të vitit 2013 nga Shqipëria për në Siri, duke u bërë pjesë e organizatës “ISIS”, e listuar si organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Në nëntor të vitit 2016, Mehdi Manollari është futur në listën kombëtare të personave të shpallur për financim të terrorizmit.

Nga hetimet ka rezultuar se në nëntor të 2018-ës, i pandehuri Muhamet Manollari ka transferuar nëpërmjet një institucioni që ofron shërbime të transfertave monetare shumën prej 864 euro në favor të një shtetasi sirian, me qëllim për t’ia dërguar babait të tij Mehdi Manollari, i cili në atë kohë ndodhej në Siri dhe ishte pjesë e organizatës terroriste “ISIS”. Sipas SPAK, Mehdi Manollari besohet besohet të ketë vdekur në vitin 2019.

“Për të dërguar këtë shumë parash, i pandehuri Muhamet Manollari nuk ka përdorur emrin e tij, por ka përdorur një kartë identiteti në emër të shtetases me iniciale A. N., e cila e kishte raportuar atë të humbur, disa kohë para ngjarjes, dhe shuma e parave është dërguar jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë shtetasit Mehdi Manollari (pasi ai ka qenë i listuar si person ndaj të cilit nuk mund të kryheshin transferta), por një personi tjetër të referuar prej tij, shtetasit sirian A.A.S”, shpjegohet në njoftimin e SPAK.

(Reporter.al)