SPAK: Publikimi i dosjes së organizatës së Suel Çelës e cenon hetimin

Tiranë, 29 nëntor 2024 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u ka bërë thirrje të gjitha mediave dhe aktorëve publikë që të respektojnë Vendimin e Gjykatës se Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) lidhur me organizatën kriminale të Suel Çelës dhe të mos publikojnë dosjen e ose pjesë të saj.

SPAK, nëpërmjet një komunikate për medie, tha dosja përbën secret hetimor dhe se publikimi i paautorizuar i dosjes apo i pjesëve të saj jo vetëm e dëmton procesin hetimor, por krijon pasoja të rënda për sigurinë e palëve të përfshira dhe integritetin e procesit hetimor.

“Në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të ruajtur sekretin hetimor dhe për të ndaluar publikimin e akteve hetimore, GJKKO në vendimin e saj ka urdhëruar që: Bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale urdhërohet ndalimi i publikimit të kërkesës së prokurorisë, përmbajtjes së saj si dhe i akteve që lidhen me çështjen deri në përfundim të hetimeve, si dhe ndalohet tërësisht publikimi i këtij vendimi deri në përfundim të hetimeve paraprake. “Mosrespektimi i urdhërimit të përcaktuar në pikën 26 të dispozitave të këtij vendimi përbën  vepër penale të përcaktuar në nenin 295/a paragrafi 3 të Kodit Penal, me titull “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Sqarojmë se, pas dhënies dhe marrjes së kopjeve të këtij vendimi nga të hetuarit dhe pala mbrojtëse është vënë re se pjesë të tij janë bërë publike në media, në kundërshtim me urdhrin e gjykatës dhe kuadrin ligjor. Të gjitha personave nen hetim ju është përcjellë kopje e vendimit të gjykatës kundrejt firmosjes së procesverbalit për ruajtjen e sekretit hetimor”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Më 22 nëntor, SPAK ndërmori një operacion të gjerë kundër organizatës kriminale të Suel Çelës dhe caktoi masa sigurie për 21 persona të lidhur me këtë organizatë. Mes personave të lidhur me këtë organizatë ka edhe ish-gjyqtarë e drejtues policie, si edhe dy gazetarë.

(r.m.)