SPAK rihap dosjen “Gërdeci”, procedim penal ndaj ish-ministrit Mediu

Tiranë, 28 tetor 2021 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka njoftuar sot se i ka rihapur hetimet lidhur me rastin “Gërdeci”, duke regjistruar procedim penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili shpallet i dyshuar për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues.

SPAK u vu nëlëvizje pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, GJKKO, më 24 shtator 2021, e ka rikthyer dosjen e “Gërdecit” për hetim në SPAK.

Në vendimin e Apelit të GJKKO-së thuhet se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit të rihetimit.

“Nuk është gjë e gjykuar. Afatet e parashkrimit janë respektuar se është marrë i pandehur që në vitin 2009. Pengesa e imunitetit ishte përkohshme. Rënia e kushtit për të pasur imunitet konsiderohet fakt i ri që hap rrugën e gjykimit”, thuhet në vendimin e Gjykatës, ndër të tjera.

Njoftimi për shtyp i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit nr. 205, datë 24.09.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të z. Fatmir Mediu, ka regjistruar procedim penal për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak kuadër-komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu.

(r.m.)