Tiranë, 18 korrik 2023 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të martën se ka kryer kontrolle dhe sekuestro në pasuritë e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, mbi të cilin rëndojnë akuzat për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
SPAK në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit kanë ushtruar kontroll në 7 banesa, kur gjatë kontrollit, bëhet e ditur se: “janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap – top, telefona celularë, USB të cilat do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme”.
Ndërkohë, me vendim të Gjykatës së Posaçme, SPAK njofton se ka proceduar me zbatimin e masës së sigurimit pasuror. “Sekuestro preventive mbi 6 pasuri nga të cilat 4 apartamente (njëri i përshtatur si AIR BNB) në pronësi të personit nën hetim Arben Ahmetaj si dhe 2 llogari bankare të po këtij shtetasi, në shumën 124 300 Euro,” thuhet në njoftim.
Kuvendi miratoi të premten autorizimin për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj dhe kontrollin e banesave të tij, ndërkohë që ish-numri dy i qeverisë është larguar nga vendi duke iu shmangur drejtësisë.
SPAK dorëzoi në Kuvend një dosje voluminoze ku kishte hetuar marrëdhënien e Ahmetajt me dy personat që qëndrojnë pas aferës së inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, dhe përfshirjen e tij të drejpërdrejtë në dhënien e tenderave dhe koncensioneve shtetërore për këta persona, të cilët gjithashtu po i fshihen drejtësisë.