Tiranë, 20 shkurt 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të enjten më 20 shkurt sekuestrimin e një pasurie tjetër të paluajtshme të lidhur me vëllezërit Franc e Hajdar Çopja, të cilët akuzohen si krerët e njërës pej organizatave kriminale më të përfolura në vend, të përfshirë në vrasje, trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe skema komplekse të pastrimit të parave.
Pas sekuestrimit një muaj më parë të dhjetëra pasurive të paluajtshme dhe kriptovalutave me vlerë 10 milionë euro, me vendim të dy ditëve më parë është bllokuar dhe kompania “S.FARM”, me aktivitet në fushën e agroturizmit, që ofron shërbime akomodimi në struktura hotelerie, bujtinë, shtëpi pushimi, vila, shërbim bar-restorant-kafe, etj., operator ekonomik që e ushtron aktivitetin në fshatin Mumajes të njësisë administrative Baldushk, në Tiranë. Së bashku me kompaninë, janë vendosur nën sekuestro edhe toka dhe godinat e shërbimeve.
Po ashtu, është proceduar dhe administratori i kompanisë, shtetasi P.L., i cili akuzohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm, në formën e organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Administratorit të shoqërisë i janë gjetur dhe sekuestruar 2940 euro, 203 mijë lekë lekë, orë dore e markës Rolex, një varëse floriri me pllakë me tre gurë të çmuar, në dukje diamantë, si dhe katër telefona.
Në gusht të vitit të kaluar, SPAK në bashkëpunim me Europol dhe policitë partnere goditën organizatën kriminale të drejtuar nga vëllezërit Çopja, e shtrirë përtej kufijve të Shqipërisë dhe të akuzuar për 6 vrasje, disa atentate, trafik narkotikësh, korruptim të zyrtarëve të drejtësisë dhe grabitjen e bujshme me armë të parave në aeroportin e Rinasit.