Tiranë, 27 dhjetor 2024 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpjeguar se pë çfarë është marrë në pyetje të enjten kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Prokuroria shpjegon se hetimet kanë nisur për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” të përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Por, nga provat e grumbulluara deri më tani është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete edhe për veprat penale: : “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
“Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale:“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm.
Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.
Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.
Ky reagim vjen një ditë pas deklaratës së Veliajt se ai është ftuar nga Prokuria e Posaai është ftuar nga Prokuria e Posaçme në bazë të një denoncimi të cilin e ka cilësuar si anonym dhese ai është, siç është shprehur “viktimë e një kuklture linçuese”.
Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, i cili është një personazh që nuk ekziston, për të na kthyer mallin e letrave anonime. Unë e kuptoj që disa njerëz që nuk na mundin dot në zgjedhje janë kthyer në zanatin e letrave anonime. Të gjithë e dimë se cfarë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti përfaqëson dhe cfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil”, ka thënë Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, pas intervistimit në Prokuririnë e Posaçme.
Gjatë këtij muaji, Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar telefonin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe ka ushtruar kontroll në ambientet e qendrës “Harabel” dhe të “Nan Gallery”, të themeluara prej saj. Si pjesë e hetimeve, SPAK ka kontrolluar gjithashtu një apartament dhe një vilë në pronësi të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj, biznesin e tij “Gogel Shpk” dhe kompaninë “Rametal Shpk”, në pronësi të biznesmenit Abule.
Abule është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për pastrim parash në vlera prej miliona eurosh dhe dyshohet se ka lidhje me krimin e organizuar.
(r.m.)