Tiranë, 10 janar 2024 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi të premten më 10 janar, përfundimin e hetimeve lidhur me procedimin penal të regjistruar bazuar në informacionet e dërguara nga deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i cili akuzoi Ols Ramën, vëllain e kyeministrit Edi Rama, për lidhje me një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës në vitin 2014. SPAK sqaron se pas kryerjes së një sërë veprimesh hetimore, përfshi dhe bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës, nuk ka gjetur prova apo fakte që të lidhin Olsi Ramën me trafikun e kokainës, për të cilën u dënuan të tjerë persona në kuadër të hetimeve të kryer për dosjen e quajtur “Xibraka”.
Po ashtu, SPAK njofton se nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë dhe dosja e pezulluar më parë dhe e rihapur pas informacioneve të dërguara nga Bardhi, pësoi të njëjtin fat duke iu rikthyer Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Procedimi në fjalë u regjistrua fillimisht në vitin 2016 për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të narkotikëve”, dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale”.
Në fund të marsit të vitit të kaluar, Bardhi akuzoi Ramën për lidhje me organizatën e trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri, që kishte krijuar një laborator të përpunimit të lëndës narkotike në Xibrakë të Elbasanit. Bardhi tha se i referohej dokumenteve të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Ols Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”.
Sipas Bardhit, prokuroria në atë kohë hapi një dosje sekrete paralele për të hetuar një 45 vjeçar të paidentifikuar me emër, që ka përdorur të njëjtën makinë si Ols Rama dhe trafikantët e drogës. Ai theksoi se Ols Rama ishte në atë kohë 45 vjeç duke sjellë në vëmendje se vëllai i kryeministrit dhe drejtuesit e narkotrafikut përdorën të njëjtën makinë 18 herë.
Hetimi për grupin e përfshirë në laboratorin e prodhimit të kokainës në Xibrakë nisi në dhjetor 2014, pas informacioneve të mbërritura në Shqipëri nga autoritetet gjermane. Në janar 2015, ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda vuri nën akuzë 9 persona për trafikim të lëndëve narkotike dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
Ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzoi Genci Xhixën si drejtues të grupit kriminal të përfshirë në laboratorin e kokainës, por ai nuk u arrestua asnjëherë nga policia. Anëtarët e grupit u dënuan me 104 vjet burg nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda, por dënimet u lehtësuan në Apel dhe disa prej tyre, si në rastin e Ermal Hoxhës dolën më herët nga burgu për “sjellje të mirë”.