Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka dhënë sqarime të mëtejshme lidhur me procedurat e hetimit për inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit.
Nga hetimi janë gjetur shkelje të shumta, që fillojnë me procedurat për dhënien e koncesionet e më pas me falsifikime dokumentesh të pronësisë, krijimin e kompanive fiktive, faturime fiktive e dhënien e pagesave për punime që nuk janë kryer. Janë përdorur skema fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, SPAK ka zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal nr.187 viti 2020, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, parashikuara nga nenet 248, 245, 260 dhe neni 287, germat (a) dhe (b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal.
Objekti i hetimit të këtij procedimi penal janë veprimet e kryera për procedurën e ndjekur në lidhjen e kontratës së koncesionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate koncesioni, lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. Nga aktet e administruara kanë rezultuar disa fakte penale, si më poshtë:
Së pari, nga hetimet kanë rezultuar të dhëna se në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, nga anëtarët e Komisionit të Koncesionit, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka, janë kryer veprime në kundërshtim me nenet 18, 21, 22,24, 31, 32, të ligjit nr.125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, i ndryshuar, në kundërshtim me nenet 27, 38 të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, në kundërshtim me nenin 8 të VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar.
Së dyti, në lidhje me procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit, pasuria nr.1, ZK.2636, Vol.10, Fq.63, lloji i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe 111 564 m2 , nga hetimet kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundraligjshme të Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, shtetasit Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe Ish Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, të cilët kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”. Mbi bazën e këtij dokumentacioni me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.951,datë 28.12.2016, është vendosur shpronësimi i pronës ku do të ndërtohej inceneratori në shumën 46 299 060 (dyzet e gjashtëmilion e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë) lekë. Si rrjedhojë, ka rezultuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 16 288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë. Veprimet dhe mosveprimet e personave të mësipërm janë në kundërshtim me VKM nr.89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, VKM nr.584, datë 28.8.2003 “Për Miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave”, Kreu II, “Nisma për Projektaktin”, pika 3 dhe 4 e saj.
Së treti, nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga shoqëritë “Integrated Technology Waste Treatment Energy” sh.p.k., (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit) janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer. Shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga disa shoqëri të tjera në total në vlerën e përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 146,083,071 (njëqind e dyzet e gjashtë milion e tetëdhjetë e tre mijë e shtatëdhjetë e një) lekë.
Gjatë hetimeve kanë rezultuar të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shuma monetare 146,083,071 lekë që i është faturuar shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., dhe që është paguar më pas nga kjo shoqëri, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së koncesionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”.
Shtetasi K. Z. në cilësinë e aksionerit tek shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, si dhe shtetasi A.M., në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Shtetasi Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria e koncesionit “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., përfitime të parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare, duke përdorur disa shoqëri të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij dhe prej personave familjarë të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Së katërti, nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.22, datë 26.03.2022 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Lefter Koka, i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25, 260 dhe 287/2 të Kodit Penal.
- Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim K.Z., i dyshuar për veprat penale të 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.
- Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim A.M., i dyshuar për veprat penale të 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.
- Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Pëllumb Abeshi, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
- Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Azem Shatëri, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
- Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Florjan Muçaj, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
- Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim E.M, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
- Caktimi i masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Sabina Cenameri, e dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
- Caktimi i masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim E.K, e dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
Në këtë proçedim penal janë marrë në përgjegjësi penale edhe personat juridik, “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Servis” sh.p.k, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.
Gjithashtu, me vendimin nr.134, datë 28.03.2022 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
Caktimi i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për personin juridik “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., me seli qendrore në Tiranë, së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të
- Caktimi i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për personin juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k, me seli qendrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të
- Caktimi i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për 4 (katër) pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Lefter Koka, me sipërfaqe totale prej 3 344.8 m2. Këto pasuri kanë një vlerë ekuivalente që përmbush vlerën e përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 146,083,071 (njëqind e dyzet e gjashtë milion e tetëtëdhjetë e tre mijë e shtatëdhjetë e një) lekë.
- Caktimi i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit E. B., lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 99.48 m2, me adresë Tiranë, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar sot në datën 29.03.2022 masën e sigurimit personale të vendosur ndaj shtetasit Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Florjan Muçaj, Sabina Cenameri, si dhe janë duke u kryer veprimet e nevojshme ekzekutimin e masave të sigurimit për shtetasit e tjerë. Gjithashtu po kryhen veprimet për vënien në administrim të Agjensisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara Tiranë, të pasurive të sekuestruara.
Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal “arrest në burg”.
II.Mbi hetimet e kryera për inceneratorin Elbasan.
Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka vijuar hetimet në lidhje me procedimin penal nr.277 viti 2020, që bën fjalë për procedurën e ndjekur për lidhjen e kontratës së koncesionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate koncesioni, kontratë e cila është lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal, janë mbledhur prova dhe janë krijuar dyshime të arsyeshme, se anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit të mësipërm, kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.20, datë 27.03.2022 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
Caktimin ndaj personave nën hetim Pëllumb Abeshi dhe Bardhul Çabiri të masës së sigurimit personale “arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
- Caktimin ndaj personave nën hetim Serafin Papa, E. K. dhe J. Z. të masës së sigurimit personale “arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Po kështu, me vendimin nr.130 akti, datë 28.03.2022 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e mëposhtme:
14 apartamente me sipërfaqe banimi në total prej 1356 m²;
- 3 njësi tregtare me sipërfaqe shfrytëzimi në total prej 297 m²;
- 1 pasuri të paluajtshme të llojit truall me sipërfaqe 147 m² dhe ndërtesë 126 m²;
- 8 shoqëri tregtare dhe të gjitha asetet në pronësi të shoqërive tregtare.
Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara dyshohet se përbëjnë produkt të veprave penale për të cilat po ushtrohet ndjekja penale, ndërsa shoqëritë tregtare të sekuestruara dyshohet se kanë shërbyer dhe janë përdorur si mjete për të realizuar veprat penale. Vlera e pasurive të paluajtshme të sekuestruara është rreth 2,000,000 Euro.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar sot në datën 29.03.2023 masat e sigurimit personale për shtetasit Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri dhe Serafin Papa, si dhe janë duke u kryer veprimet e nevojshme për ekzekutimin e masave të sigurimit për shtetasit e tjerë dhe për vënien në administrim të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara Tiranë, të pasurive për të cilët është vendosur masa e sigurimit pasurore “sekuestro preventive”.
Prokuroria e Posaçme vazhdon hetimet e mëtejshme për mbledhjen e provave të nevojshme për persona të tjerë, funksionarë publikë dhe persona fizik dhe juridikë privatë, për të cilët ka dyshime se mundet të jenë përfshirë në kryerjen e veprimtarisë kriminale të mësipërme në lidhje me inceneratorët Elbasan dhe Fier, njofton SPAK.
(Revista “Monitor”)