Prokuroria e Posaçme urdhëroi arrestimin e ish-shefit të sektorit ligjor në burgun e sigurisë së lartë Peqin, Gani Shehu, ndaj të cilit rëndojnë dyshime se mashtroi institucionin e akuzës, në lidhje me kohën që Viktor Imeri, i njohur si “Tori i Xhihanes”, ka vuajtur dënimin për vrasje të dyfishtë në burgun e sigurisë së lartë Peqin.
Nga hetimet rezultoi se ish zyrtari i burgut, i dërgoi SPAK të dhëna të rreme, pas një kërkesë që prokuroria i bëri institucionit të vuajtjes së dënimit, ku kërkonte informacion lidhur me periudhën, sektorin apo qelinë ku kishte qëndruar i dënuari Imeri, i cili u prangos pak muaj pasi u lirua me kusht, si i dyshuar për vrasjen e Vajdin Lamaj dhe Klodian Saliut.
Ky informacion kërkohej dhe konsiderohej shumë i vlefshëm për hetimin, për të konfirmuar dëshminë e të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi, i cili pretendonte se të dhënat për dy vrasjet e bujshme të ndodhura në vitin 2005, i kishte mësuar nga “Tori i Xhihanes”, gjatë kohës që kishte qëndruar në të njëjtin burg me të.
Skandali është zbuluar në seancë gjyqësore, gjatë së cilës shqyrtohej një kërkesë e bërë nga i dyshuari, i cili kërkonte zëvendësimin e masës së sigurisë. Një nga provat kryesore ku mbështetej avokati në kërkesën e tij ishte shkresa e burgut e firmosur nga ish-zyrtari Shehu, përmes së cilës synonte të provonte se për kohën që Reçi pretendonte se ishte ndodhur në të njëjtin sektor me Imerin, ky i fundit vuante dënimin në një tjetër institucion. “Duke marrë shkas nga përmbajtja e kësaj shkrese, Prokuroria e Posaçme, kreu hetime të thelluara në drejtim të vërtetësisë së të dhënave të pasqyruara. Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore, u krijua dyshimi i arsyeshëm se, në shkresën e datës 14.01.2021 të nxjerrë nga IEVP, Peqin, paraqiteshin të dhëna të rreme të cilat shkonin në drejtim të lehtësimit të pozitës së të hetuarit Viktor Imeri Bajraktari”, thekson SPAK.