Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Tiranë, ka regjistruar procedimin penal Nr. 277 datë 22.10.2021 për veprat penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë fuksione publike” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga neni 245/1/2 dhe neni 186/1 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit D. L., si dhe “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë fuksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit Q. G.
Pasi janë kryer hetime në kuadër të procedimit penal Nr. 277/2021, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave Tiranë, është arritur të sigurohen prova të mjaftueshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm, se:
Shtetasi D. L. ka ofruar/premtuar një vlerë monetare në shumën 4.000 euro që përbëjnë përfitim të parregullt, në kuadër të proçedurës së provimit në Akademinë e Sigurisë Tiranë, si dhe ka përdorur dokumente të falsifikuara në procesin e provimit, ndërsa shtetasi Q. G. dyshohet se ka kërkuar/pranuar përfitim të parregullt për të ushtruar ndikim të paligjshëm tek punonjës shtetërorë për të favorizuar shtetasin D. L. në lidhje me provimin, për fitimin e gradës “Nënkomisar”, të zhvilluar në datën 27.10.2021 në ambjentet e Akademisë së Sigurisë.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin Nr. 1159, akti datë 29.11.2021, ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasit: D. L. dhe Q. G.
Ekzekutimi i masave të sigurimit nga policia gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave Tiranë, u bë i mundur sot më datë 02.12.2021.
*Emrat e njohur për redaksinë.