Tiranë, 15 gusht 2024 – Strukutura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfiskoi sot dhe kaloi në favor të shtetit disa pasuri të shtetasit Alket Hatija, i dënuar për trafikim të narkotikëve në bashkëpunim disa herë, si dhe të personave të lidhur me të.
SPAK-u njoftoi se këto veprime janë pjesë e punës së tij “për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të cilat dyshohen se rrjedhin nga krimi”.
Tetorin e kaluar Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të konfiskojë me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme dy pasuri truall së bashku 815 metra katrorë në lagjen “Plazh” të Durrës në pronësi të shtetasit Alket Hatija, si dhe prona të të afërmve të tij përkatësish një garazh po në atë lagje, dy apartament, dy apartamente në Durrës dhe në Kavajë së bashku 183 metra katrorë, një autoveturë dhe kuota 49 për qind të subjektit “Aquila Marble”.
Hatija dhe personat e lidhur me të janë ankuar më tej për këtë vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, por me një vendim të korrikut të këtij viti Gjykata e Posaçme e Apelit Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e la në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në njoftimin e SPAK-ut theksohet se Alket Hatija u shpall fajtor në mars të vitit 2010 nga ish Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për trafikim të narkotikëve në bashkëpunim, më shumë se një herë, një vendim që u la në fuqi në nëntor të po atij viti nga ish Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.
Prokuroria e Posaçme i kërkoi konfiskimin e pasurive të Alket Hatijas në Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar bazuar në Aktin Normativ të janarit 2020 mbi masat parandaluese në kuadër të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike.
Hatija, tashmë 51 vjeçar, është dënuar me 20 vjet burg nga drejtësia italiane për transportim në vitet 2003-2004 të 350 kg heroinë dhe 190 kg kokainë me vlerë 35-45 milionë euro. Ai u arrestua në Shqipëri gushtin e vitit të kaluar dhe u ekstradua në Itali disa ditë pas arrestimit.
Sipas njoftimit të atëherëshëm të policisë shqiptare, gjatë operacionit “International” u kap Alket Hatija, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Milano e dënoi me dy dekada burgim për trafikim të lëndëve narkotike.
“Alket Hatija ka bashkëpunuar me 40 shtetas të tjerë për trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike si heroina gjatë periudhës 2003-2004 nga Shqipëria në Itali nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar”, thuhej në njoftimin e policisë.
(Zëri i Amerikës)