Berlin, 14 korrik 2024 – Spanja ka fituar Kampionatin Evropian të Futbollit, Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2 me 1 në finale ekipin kombëtar të Anglisë.
Kjo është hera e katërt që Spanja shpallet kampione evropiane në futboll – më shumë se çdo kombëtare tjetër.
Në ndeshjen finale që u zhvillua në Berlin, më 14 korrik, Spanja kaloi e para në epërsi në minutën e 47, me një gol të Nico Williamsit. Por, në minutën e 73, Cole Palmer shënoi për Anglinë, duke barazuar rezultatin. Golin e fitores për Spanjën e shënoi Mikel Oyarzabal në minutën e 86-të, duke ia pamundësuar Anglisë që të fitojë për herë të parë titullin e Kampionit Evropian në futboll.
Ekipi i Spanjës, i udhëhequr nga trajneri Luis de la Fuente, i fitoi të gjitha ndeshjet (gjithsej 7) në këtë kampionat. Kjo është hera e parë që një përfaqësuese i fiton të gjitha ndeshjet në një kampionat evropian.
Gjate këtij kampionati ekipi spanjol i mundi të gjitha ekipet që konsideroheshin ndër favoritet kryesore për titullin e kampionatin: Francë, Gjermaninë, Kroacinë, Italinë dhe Anglinë. Kjo e fundit nga ekspertët e futbollit konsiderohej si favorite absolute për kurorën e kampionatit.
Dy nga lojtarët e Spanjës fituan trofe si lojtarët më të mire të euripianit. Rodri (Rodrigo Hernández Cascante) u shpall lojtari më i mirë i këtij kampionati, ndërsa Lamine Yamal, I cili e festoi ditëlidhjen e 17-të të shtunën, u shpall lojtari i ri më i mirë. Ky lojtar që vlerësohet si njëri ndër talentët më të mëdhenj në këtë kampionat dha një gol të shkëlqyeshëm dhe katër asistime, më shumë se askush tjetër në kampionat.
Spanja e kishte fituar titullin e Kampionit Evropian në futboll edhe më 1964, 2008 dhe 2012.
(r.m.)