Spanja pritet të hapë zyrë ndërlidhëse në Kosovë

Prishtinë, 31 maj 2021 – Spanja, njëri prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duket se do ta zbusë qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës.

Portali Demokracia.com, duke iu referuar burimeve diplomatike të informuara mirë, shkruan se Spanja pritet ta hapë shumë shpejt zyrën e saj ndërlidhëse në Kosovë.

Sipas këtijportali, në Spanjë tashmë është marrë vendimi për hapjen e zyrës ndërlidhëse në Prishtinë.

“Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Spanjës, Joseph Borrell, tash përgjegjës për Politikën e Jashtme të BE-së, ka luajtur rol përcaktues në këtë hap”, ka thënë për këtë portal një diplomat i informuar mirë.

Zyra ndërlidhëse e Spanjës, sikurse edhe Zyra e  Rusisë dhe Zyra e Kinës do të hapet në kooedinim me UNMIK-un, por do të bashkëpunojë edhe me institucionet shtetërore të Kosovës.

Sipas burimeve, ish-ministri i Jashtëm i Spanjës,Joseph Borrell, tani përfaqësues i lartë i Bashkimit  Evropian për politikë  të jashtme  dhe siguri, e garanton hapjen e zyrës spanjolle në Kosovë, në këmbim të konstruktivitetit të kryeministrit Kurti dhe si sinjal se pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës do ta bëjnë këtë nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ditë më parë edhe Greqia njoftoi se do ta rrisë nivelin e marrëdhënieve me Kosovën. Athina zyrtare e ka miratuar kërkesën që Kosova të hapë në Greqi një zyrë për bashkëpunim ekonomik.

Këtë javë në Kosovë do të arrijë për vizitë ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias. Edhe kjo vizitë vështrohet si shenjë e  vullnetit të mirë të Greqisë që të afrohet me Kosovën.

Ditëve të fundit është përmendur edhe për ekzistimin e një plani francez, i cili parasheh të drejta më të mëdha për serbët në veri të Kosovës, zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe të drejta shtesë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, në shkëmbim të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe të njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së.

Sipas “planit francez”, i thuhet se po diskutohet në qarqet diplomatike, nuk parasheh njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe as anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Veton Surroi, këshilltar i ekipit negociator të Kosovës që udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ditë më pare, tha se anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk është objektiv parësor. Ai ka thënë se, tash për tash, është e rëndësishme njohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së.

(r.m.)