Nga Ruben Avxhiu
Në 7 janar 1970, një djalë i ri, i armatosur me një pistoletë lodër (që dukej si e vërtetë), urdhëroi pilotin e një avioni që po fluturonte nga Madridi në Saragozë që të ndryshonte drejtim dhe të ulej në Shqipëri.
Ai ishte një student i Informatikës, 18-vjeçar, me emrin Mariano Ventura Rodriguez. Avioni kishte 41 vetë në bord.
Shqipëria, në atë kohë, ishte një vend komunist, i izoluar nga shumica e Europës, në një aleancë të pazakontë me Kinën e largët. Mirëpo, në atë kohë, edhe Spanja ishte një diktaturë, nën pushtetin e Gjeneralit Françisko Franko.
Në fakt, thuhet se ai kishte kërkuar të shkonte në Kubë, po i kishin thënë se nuk ishte avion që mund të kalonte Oqeanin. “Më çoni në Tiranë, në Shqipëri”, atëhere, kishte thënë ai. Ndonëse me pistoletën mbi kokë, piloti i “Iberia Airlines” i shpjegoi studentit me qetësi se avioni nuk kishte karburant të mjaftueshëm për një udhëtim aq të gjatë dhe se ishte e nevojshme të ulej në destinacion (Saragozë) për t’u furnizuar.
Në Saragozë, studenti priste me armë në dorë që të mbushej avioni me karburant ndërkohë që i komunikuan se që të ulej në Tiranë me këtë lloj avioni, do të duhej të bënte dy ndalesa të tjera. Një në Marsejë dhe një në Romë.
Mariano ra dakord. Me pistoletën prej plastike në dorë që e kishte blerë në një dyqan lodrash në Madrid, ai doli nga kabina e pilotit dhe i njoftoi udhëtarët e hutuar se do të kishin shansin të shikonin disa qytete të bukura: Marjesën, Romën dhe Tiranën.
Gazeta spanjolle “ABC” shkruan vite më vonë, për incidentin e vitit 1970
Mirëpo, ndërkohë, e informuar për rrëmbyesin, situatën në aeroport e kishte marrë në dorë ushtria. Ushtarë të veshur si punëtorë u afruan gjoja për të bërë furnizimin me karburant dhe shfrynë gomat e rrotave të avionit ndërsa elektriçistët kishin stakuar disa qarqe të nevojshme për funskionimin e avionit.
Dritat e aeroportit u fikën dhe studentit iu komunikua me megafon, se avioni nuk mund të nisej më dhe se nëse do të prekte udhëtarët, do të vritej në vend nga ushtarët. Dy kamionë nxituan për të bllokuar pistën e fluturimit përpara tij.
Studenti bërtiti se nëse nuk niseshin për 15 minuta do të masakronte të gjithë njerëzit që ndodheshin në bord.
Ndërkohë avionit i mbaruan bateritë dhe gjithshka ishte në errësirë. Rrëmbyesit iu komunikua se maksimumi do të bënte dy vite burg, ndërsa nëse pësonte gjë njeri do të vritej në vend.
Pas katër orësh negociatash, ai pranoi të dorëzohej.
Ndonëse nuk pati asnjë viktimë, ngjarja nervozoi pilotët spanjollë, shoqata e të cilëve në një shembull të rrallë rebelimi kritikoi publikisht gjeneralin që kishte drejtuar operacionin, duke e akuzuar se kishte vënë në rrezik udhëtarët me agresivitetin ndaj sulmuesit.
Më vonë, studenti pranoi se kishte pirë disa gota më shumë dhe se nuk kishte dashur të dëmtojë askënd.
Çfarë e shtyu të kërkonte ta çonin në Shqipërinë e Enver Hoxhës? Nuk ishte në fakt i vetmi i ri në Perëndim me kuriozitet për botën komuniste.
Babai i tij foli i shokuar për median duke thënë se nuk e kishte pritur prej djalit të tij që kishte qenë gjithnjë një i ri normal pa ndonjë interes në politikë e aq më pak për politikën ndërkombëtare. Mirëpo, kishte shtuar se familja e tij kishte qenë gjithnjë në anën e ligjit dhe se ligji duhej t’i jepte dënimin që meritonte
Në fund, gjykatësi i dha dënimin me shtatë vjet e një ditë.
Nuk dihet se çfarë është bërë me të më vonë, apo se çfarë ka menduar më vonë kur ka parë arratisjen e dëshpëruar nga Shqipëria të njerëzve që iknin nga vendi ku ai donte të shkonte.
Mariano Ventura Rodriguez mbase nuk arriti të mbërrijë në Shqipëri, por të paktën hyri në histori. Media spanjolle e njeh si “piratin e parë ajror të historisë së Spanjës”.