Berlin,11 korrik 2022 – Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës i ka detyruar socialdemokratët që qeverisin në Gjermani të rishikojnë politikat e sigurisë.
I ngarkuari i SPD-së me çështjet e jashtme, Michael Roth, angazhohet për një politikë të re të sigurisë. Ai ka thënë se tashmë është e qartë se me Rusinë nuk mund të ketë siguri në Evropë.
“Rani në Europë mund të ketë siguri vetëm kundër Rusisë dhe jo me Rusinë”, ka shkruar Roth, në një artikull për gazetën “Welt am Sonnstag”.
Ai ka thënë se arkitektura e re e sigurisë europiane duhet të bazohet në kërcënimin ushtarak dhe në izolimin politik dhe ekonomik të Rusisë.
“Me vështrim drejt Rusisë kemi nevojë për më shumë realizëm në vend të mendimit naiv të dëshiruar. Putin e ka bërë këtë vend një fuqi imperialiste”, ka thënë ai.
Roth, i cili është kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme në Bundestag, kërkon përfshirjen më të madhe të fqinjëve të Gjermanisë në hartimin e politikave për Rusinë.
“Në të ardhmen nuk duhet të ketë bashkëpunim të Gjermanisë me Rusinë që është në dëm të partnerëve tanë europiano-lindorë dhe qendrorë”, ka thënë Roth.
Kreu i SPD-së, Lars Klingbeil, ka pranuar se deri më tani Gjermania ka pasur politikë të gabuar të sigurisë.
“Kemi qenë shumë të përqendruar tek Rusia”, ka thënë Klingbeil.
“Në të ardhmen duhet të bashkëpunojmë më shumë me shtetet europiano-lindore. Fjalia në programin bazë të SPD-së se siguri në Europë ka vetëm me Rusinë nuk qëndron pas luftës në Ukrainë”, ka theksuar ai.
Klingbeil ka thënë se në diskutimet për sigurinë duhet të përfshihet edhe ushtria.
“Patjetër që Bundeswehri duhet të përfshihet në debatet për paqen dhe sigurinë. Diskutimet për luftën nuk çojnë në luftë, por mbyllja e syve para realitetit”, ka thënë Klingbeil, citon DW.
(r.m.)