Specialja dorëzoi listën e 12 dëshmitarëve të radhës në çështjen “Thaçi dhe të tjerë”

Hagë, 6 korrik 2023 – Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë ka dorëzuar më 28 qershor listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore “Thaçi dhe të tjerë”.

Këtë e bëri të ditur, Angela Griep, shefe për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), përmes informimit javor të DhSK-së për medie në platformën ‘zoom’, të enjten, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

‘‘Më 28 qershor Prokuroria dorëzoi listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë’’, tha ajo.

Griep tha se lista përmban edhe dëshmitarë rezervë dhe se prokuroria theksoi se ka zvogëluar kohën e parashikuar që duhet për të marr në pyetje tetë prej këtyre dëshmitarëve.

‘‘Emrat e dëshmitarëve janë dorëzuar si pjesë e një shtojce konfidenciale’’, shtoi e njëjta.

Po ashtu, ajo tha se seancat gjyqësore në çështjen Thaçi dhe të tjerë nisin javën e ardhshme duke filluar nga 9 korriku, nga ora 09:00.

Ndërkaq, për çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës, e njëjta informoi se seancat në këtë çështje janë  mbajtur të hënën dhe të martën e kësaj jave.

‘‘Dy ekspertë mjeko-ligjor dhanë dëshminë pa masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë publike. Ata ishin dëshmitari i nëntë dhe i dhjetë të thirrur nga Prokuroria për këtë çështje gjyqësore. Dëshmitarëve iu drejtoi pyetje Prokuroria, mbrojtja, mbrojtësi i viktimave dhe gjykatësit’’, tha ajo.

Në vazhdim, Griep tha se sipas urdhrit me gojë të 16 qershorit në të cilin trupi gjykues caktoi disa data të synuara, Prokuroria pas dëshmisë së dëshmitarit të fundit pritet të përfundojë paraqitjen e provave të veta sot, më 6 korrik.

‘‘Më pas, në varësi të rezultatit të ndonjë mocioni prej mbrojtjes për rrëzimin e akuzave, 21 gushti është data në të cilën synohet fillimi i paraqitjes së provave nga mbrojtësi i viktimave nëse dëshiron’’, shtoi ajo lidhur me këtë.

Së fundi, e njëjta tha se trupi gjykues caktoi 18 shtatorin si datën në të cilën synohet të fillojë paraqitja e provave nga mbrojtja.

Griep tha se seancat në çështjen Shala përfunduan për këtë javë dhe priten të rifillojnë më 21 gusht 2023 në orën 09:30.

(Telegrafi)