Specialja kërkon nga Policia e Kosovës garanci për mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së

Hagë, 11 tetor 2021 – Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, që në diskursin publik quhet Gjykata Speciale, ka kërkuar nga Policia e Kosovws që brenda dy javësh të ofrojë informacione në lidhje me autorizimet dhe kapacitetet e saj për të zbatuar kushtet që kanë të bëjnë me lirimin e përkohshëm të mundshëm nga paraburgimi të Drejtuesve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

“Gjykatësi i procedurës paraprake në këtë mënyrë: URDHËRON Policinë e Kosovës, në lidhje me ndonjë departament tjetër dhe/ose autoritetet në Kosovë nëse është e nevojshme, të sigurojë informacionin e detajuar në Shtojcën e këtij urdhri brenda dy javësh nga njoftimi”, thuhet në vendimin e marrë të premten.

Më 25 qershor dhe më 2 korrik, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për katër ish-krerët e UÇK-së. Më 1 tetor, Gjykata e Apelit brenda Speciales nxori vendimet mbi ankesat e të akuzuarve kundër vendimeve të gjykatësit të procedurës paraprake që urdhëroni për herë të dytë vazhdimin e paraburgimit.

Apeli, ndër të tjera, i ktheu këto vendime te gjykatësi i procedurës paraprake për shqyrtim të mëtejshëm, në mënyrë që ai të vlerësojë nëse Policia e Kosovës mund t’i zbatojë në mënyrë efektive kushtet e propozuara nga të akuzuarit ose çdo kusht tjetër që ai e konsideron të nevojshëm për “zbutjen e rreziqeve të identifikuara”, e që kanë të bëjnë me lirimin e tyre me kusht.

Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit, kërkoi nga gjykatësi i procedurës paraprake që ta lëshonte këtë urdhër për këtë çështje.

“Gjykatësi i procedurës paraprake urdhëron Policinë e Kosovës që, siç specifikohet më tej në Shtojcën e këtij Urdhri, të japë informacion në lidhje me: (i) autoritetin dhe aftësinë e Policisë së Kosovës për t’i kufizuar lëvizjet e individëve që i nënshtrohen lirimit me kusht, monitorimit dhe kufizimit të individëve të tillë”, thuhet ndër tjerash në arsyetimin e vendimit.

Përveç kësaj, Policia e Kosovës mund të japë çdo informacion shtesë që konsiderohet i rëndësishëm në lidhje me zbatimin e lirimit me kusht të ish-krerëve të UÇK-së.

“Policia e Kosovës do të lidhet me çdo departament dhe/ose autoritet tjetër në Kosovë nëse është e nevojshme për të siguruar informacionin e kërkuar. Çdo pengesë teknike, logjistike ose ndonjë pengesë tjetër që e pengon ekzekutimin e duhur të Urdhrit do ngrihet menjëherë”, thuhet në vendim.

Javën e kaluar, Policia e Kosovës është shprehur e gatshme të zbatojë urdhrat e Dhomave të Specializuara, nëse një gjë e tillë i kërkohet asaj.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar të përmbushë të gjitha obligimet ligjore sipas mandatit të saj dhe ka të gjitha kapacitetet të përmbushë të gjitha detyrat dhe përgjegjësite, sipas kërkesës nga zyra e prokurorit, gjykata apo dhomat e specializuara”, thuhet në përgjigjen e Policisë për gazetën Express.

“Pjesë e detyrave dhe e funksionimit tonë të rregullt është mbikqyrja e implementimit të kushteve të vendosura për lirimin e përkohshëm të personave të akuzuar, në pritje të procesit gjyqësor”, ka thënë policia.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë arrestuar dhe janë transferuar në Hagë në nëntor të vitit të kaluar. Ata akuzohen për krime lufte të kryera në Kosovë.

(r.m.)