Stano: BE po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës

Bruksel, 1 gusht 2022 – Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se Brukseli po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës. Ai ka kërkuar të ndërpritet menjëherë çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes.

“BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës. Të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë”, ka thënë Stano, të hënë, në një konferencë shtypi në Bruksel

Stano ka thënë se BE-ja, bashkë me me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, po punon për uljen e tensioneve në Kosovë.

“BE-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë për të qetësuar tensionet, në koordinim të ngushtë me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në”, ka thënë ai.

Stano ka theksuar se të gjitha çështjet e hapura midis Kosovës e Serbisë duhet të zgjidhen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Fokusi duhet të kthehet te normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është thelbësor për rrugët e tyre përkatëse të integrimit evropian”, është shprehur Stano.

(r.m.)