Bruksel, 28 shtator 2021 – Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen të mërkurën në Bruksel, për të diskutuar për shtendosjen e situatës në veri të Kosovës.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka thënë se në këtë takim do të marrë pjesë edhe zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar.
Por, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka mohuar se Escobar do të jetë i pranishëm në takim.
Stano ka deklaruar për Gazetën “Express” se në takim do të marrin pjesë vetëm emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak. Por, ai ka shtuar se “çdokush tjetër” jep mbështetje vetëm nga jashtë.
“Jo, z. Escobar nuk do të jetë prezent në dialog. Dialogu i ka tre pjesëmarrës (Kosovën, Serbinë dhe BE-në). Të gjithë të tjerët vetëm e mbështesin atë (dialogun) nga jashtë”, ka thënë Stano për Gazetën Express.
Të hënën, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka thënë se në takimin e Brukselit do të marrë pjesë edhe Escobar.
“Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë në Bruksel këtë javë përfaqësuesit e tyre për diskutime dhe i inkurajojmë të dyja palët që të riangazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë, për të marrë pjesë në këto diskutime”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA në Prishtinë, për Express.
(r.m.)