Stano: Masat ndaj Kosovës mund të lehtësohen, por edhe të shtrëngohen

Bruksel, 15 shtator 2023 – Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, është deklaruar të premten lidhur me takimin e kryeministyrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u zhvillua të enjten në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Stano ka thënë se mungesa e progresit në dialog nuk mund t’i atribuohet Bashkimit Evropian, nëse palët në dialog nuk arrijnë të gjejnë kompromis. Ai ka theksuar se BE-ja nuk është palë, por ndërmjetës në dialog,

“Më lejoni t’jua kujtoj që BE-ja nuk është palë në dialog. Palë në dialog janë Kosova dhe Serbia. BE-ja është lehtësues, bazuar në dëshirat e shprehura nga të dyja palët dhe miratuar nga gjithë BE-ja. Ne po ndihmojmë që palët t’i kapërcejnë dallimet e tyre. Por, ne nuk do të jemi kurrë të suksesshëm, nëse palët refuzojnë të shkojnë në rrugën e kompromisit”, ka thënë Stano, citon Telegrafi.

I pyetur se çka do të ndodhë me masat ndaj Kosovës dhe nëse do të ketë masa të tilla edhe ndaj Serbisë, Stano ka thënë masat do të vendosen ndaj secilës palë që nuk kontribuon në shtensionimin e situatës.

“Ka ende potencial për eskalim. Masat mund të kenë sukses për shtensionim. Masat ndaj Kosovës janë të përkohshme, të vendosura nga vendet anëtare dhe sipas tyre nuk duhet të përdoret vetëm karota, por edhe shkopi”, është shprehur Stano.

Ai ka thënë se masat ndëshkuese edhe mund të shtërngohen më shumë.

“Masat do të jenë aty për aq sa vlerësohet e nevojshme. Ato mund të lehtësohen, por edhe mund të shtrëngohen”, ka thënë ai.

Stano ka bërë të ditur se i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do t’i njoftojë të gjitha vendet anëtare të BE-së për takimin e së enjtes.

(r.m.)