Stano: Qeveria e Kosovës nuk i mori masat e nevojshme për shtensionim

Bruksel, 10 gusht 2023 – Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, e ka pranuar letrën e nënshkruar nga mbi 50 deputetë të shteteve perëndimore, në të cilën u bëhet thirrje SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe që të ndryshojnë qasjen ndaj Serbisë dhe të jenë më të ashpër.

Ai ka thënë se Borrell, sa herë që pranon ndonjë sugjerim, reagon nëpërmjet “kanaleve të përshtatshme”.

““Mund të konfirmojë se jo shumë kohë më parë, Përfaqësuesi i Lartë, ka marrë këtë letër të përbashkët dhe si gjithmonë kur ai merr letër nga çdokush, reagon nëpërmjet kanaleve të përshtatshme, e jo publikisht nëpërmjet mediave”, ka thënë Stano në konferencë për media.

Ai ka thënë se politikat e BE-së formulohen bashkërisht nga të gjitha vendet anëtare.

“Kur bëhet fjalë për temën e ngritur nga 56 nënshkruesit e parlamentarët e disa shteteve të BE-së, e të disa shteteve të treta, mund të them se politika e BE-së formohet me unanimitet të 27 shteteve anëtare, siç thuhet e vendoset nga qeveritë e këtyre shteteve. Kemi me mijëra parlamentarë në BE. Pozita e veprimet e BE-së vendosen nga vendimet e qeverive të 27 shteteve anëtare, sa i përket politikës së jashtme vendoset me unanimitet”, ka thënë Stano.

Duke folur për masat ndëshkuese ndaj Kosovës, Stano ka thënë se masat ndaj Qeverisë së Kosovës janë ndërmarrë për shkak “të paaftësisë të autoriteteve kosovare që të sillen në mënyrë evropiane”.

“Ajo që kemi bërë së fundi, pas përshkallëzimit të fundit, kemi ndërmarrë masa ndaj Qeverisë së Kosovës, për shkak të paaftësisë së saj që të fillojë të sillet në mënyrë evropiane, e ta shtensionojë situatën e të marrë masat e nevojshme për shtensionim”, ka thënë ai.

Stano ka thënë se çdo vendim i Brukselit merret “në sinkron e në konsultim me shtetet anëtare dhe me partnerët ndërkombëtarë, në këtë kontekst kryesisht me SHBA-në”. Ai ka shtuar se edhe masat eventuale ndaj Serbisë mund të merren në këtë frymë.

“Në të njëjtën frymë, BE-ja dhe shtetet anëtare – pasi çdo gjë që bëjmë bëhet në sinkrion e konsultim me shtetet anëtare dhe me partnerët ndërkombëtarë, në këtë kontekst kryesisht me SHBA-në. Nëse vendosim atëherë do të marrim masa të nevojshme ndaj Serbisë, nëse shtetet anëtare shohin se në atmosferën aktuale, në kontekstin aktual të krizës, Serbia s’po bën gjë për shtensionim”, ka thënë ai.

Sipas tij, BE-ja ka qasje të balancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë.

“Qasja jonë është e balancuar. Sigurisht të gjitha masat janë të kthyeshme dhe varet nga mënyra se si silllen partnerët përsa i përket çështjes së deeskalimit dhe ecjes përpara për t’u kthyer në normalitet procesi i dialogut”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, nuk ka treguar nëse do të hiqen apo kur do të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë rrirrje BE-së që sa më parë të heqë masat ndaj Kosovës. Ai ka thënë se prania e policëve në objektet e komunave në veri tashmë është përgjysmuar dhe se institucionet e Kosovës janë të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

(r.m.)