Stano: Sjellja e Bislimit ndaj zyrtarëve të BE-së është e papranueshme

Bruksel, 22 shkurt 2024 – Bashkimi Evropian (BE) konfirmoi të mërkurën se Kosova dhe Serbia janë ftuar jpër një takim në Bruksel, më 27 shkurt, për të biseduar lidhur me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që e ndalon përdorimin e dinarit të Serbisë për pagesa me para të gatshme në Kosovë.

“Përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell pati takime me presidentin [e Serbisë Aleksandar] Vuçiq dhe kryeministrin [e Kosovës Albin] Kurti në Munih javën e shkuar, ku u diskutua kjo çështje. Si rrjedhojë e këtij takimi, i dërguari i posaçëm Mirosllav Lajçak i ftoi dy palët që të vinë në Bruksel me 27 shkurt”, tha të enjten zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përcjell Radio Evropa e Lirë.

Të mërkurën, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ai e ka refuzuar ftesën që shkojë në Bruksel për të biseduar lidhur me çështjen e përdotrimiit të dinarit serb në Kosovë.

“Ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike”, tha Bislimi.

Bislimi tha se Lajçaku, me dërgimin e kësaj ftese, kishte shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”.

“Kjo është hera e parë që ai (Lajçaku) ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimeve që ai i ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”, tha Bislimi.

Stano e kritikoi deklaratën e Bislimit për Lajçakun, duke e cilësuar si të papranueshme.

“Sjellja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian është e papranueshme”, tha Stano.

“Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, shtoi ai.

Stano tha se në ftesën e Lajçakut nuk saktësoshet se kush prej secilës palë duhej të merrte pjesë në takimin e ftuar për datën 27 shkurt.

“Zakonisht ne nuk i komentojmë shkëmbimet me partnerët tanë. Megjithatë, ftesa nga i dërguari i posaçëm, Lajçak, nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë. Kjo u ishte lënë palëve të vendosin”, tha Stano.

Ai tha se ftesa e Lajçakut u bë pas takimeve të veçanta që përfaqësuesi i lartë i BE-së Joseph Borrell, i kishte në Munih, në Gjermani, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministrin e Kosovës Albin, Kurti, në të cilat është diskutuar çështja e dinarit.

(r.m.)