Stavridis: Siguria kibernetike, sfidë

Al Pesin

14.05.2013
Sulmet kibernetike ndaj korporatave dhe qeverive nuk janë më të pazakonta. Personat e dyshuar dhe komjuterët e tyre identifikohen dhe largohen vazhdimisht. Kjo është edhe arsyeja që Admirali Stavridis e shikon sigurinë kibernetike si sfidën kryesore për pasardhësin e tij.

“Shoqëria jonë varet shumë tek të gjitha këto aftësi kibernetike e megjithatë përgatitjet tona janë në nivel të ulët, veçanërisht si aleancë”.

Sulmet kibernetik mund të bëhen me lehtësi, mjaft që të kesh një kompjuter të mirë dhe disa aftësi të caktuara.

NATO ka një qendër komande për mbrojtjen nga sulme të tilla dhe një qendër kërkimore në Estoni. Por Admirali Stavridis thotë se edhe brënda aleancës, bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes kibernetike është i kufizuar.

“Kjo është një fushë në të cilën shumë vende janë shumë të ndjeshme dhe të shqetësuara rreth ndarjes së njohurive të tyre me vendet e tjera. Por ne duhet të përqëndrohemi tek ky kërcënim sepse ai është shumë i madh dhe real”.

Sulmet kibernetike variojnë nga sulme fare të parëndësishme deri në sulme kompjuterësh që kontrollojnë banka dhe trafikun ajror. Ka pasur sulme të tilla ku janë vjedhur informacione zbulimi të qeverisë dhe sekrete korporatash. Madje sulmet kibernetike mund të kenë edhe pasoja fizike si për shembull dëmtimin e cetraleve elektrike apo bërthamore. Javën e kaluar, zyrtarët amerikanë thanë se me anë të një sulmi kibernetik një grup i panjohur vodhi 45 milion dollarë nga bakomatet në të gjithë botën.

Në Universitetin e Qytetit të Londrës, Profesori Kevin Jones, i cili drejton departamentin e shkencave kompjuterike, thotë se Interneti bën të mundur që çdokush të jetë terrorist.

“Bëhet fjalë për një lloj terrorizmi në një nivel më të arritshëm se sa transportimi dhe hedhja në erë e mjeteve shpërthyese, sepse njerëzit mund ta realizojnë një sulm kibernetik nga shtëpia e tyre”.

Shumë vende po zhvillojnë armë sulmuese kibernetike, madje disa vende, mes tyre Kina, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë akuzuar për përdorimin e tyre.

“Mendoj se është tepër herët që NATO-ja të përshtasë një qëndrim të tillë, por unë mendoj se vende individuale do ta shqyrtojnë këtë alternativë. Dhe me kalimin e kohës do të nevojitet kapitali intelektual që përfshin teorinë e shkurajimit në botën kibernetike”.

Shkurajimi mund të arrihet nëpërmjet kërcënimeve kibernetike ose sulmeve konvencionale. Profesori Jones mendon se kjo mund të funksionojë, megjithëse pasojat mund të jenë të rënda.

Por një individ i pakënaqur mund të mos shqetësohet rreth një sulmi kibernetik ndaj vendit të tij, duke shtuar një dimension tjetër të rrezikshëm tek çështja që tashmë e shqetëson më shumë Admiralin Stavridis. (VOA)