Ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet për statusin e Kosovës, Stefan Lehne, nuk beson se plani i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, do t’iu jepte fund mosmarrëveshjeve mes tyre.
Palët e paraqesin atë plan si “imponim prej jashtë” dhe nuk ka gjasa të jenë konstruktive në zbatimin e tij, thotë Lehne në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Për më tepër, shton ai, plani nuk e përfshin njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia dhe kjo do t’i shkurajojë edhe vendet e tjera që nuk e njohin pavarësinë e saj.
“Edhe nëse Serbia do të ishte e gatshme ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, kjo nuk do të ndodhte, sepse Rusia nuk do ta lejonte”, shton Lehne, tani analist në Institutin Carnegie Europe.
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai thotë se ky asociacion “nuk do të sillte mrekulli” në raportet Kosovë-Serbi, por do ta zhbllokonte procesin e integrimit evropian të të dyja vendeve.
Intervista e plotë:
Radio Evropa e Lirë: Zoti Lehne – dikur në pozitën e të dërguarit të posaçëm të BE-së për çështjen e statusit të Kosovës – si do ta përshkruanit Kosovën sot, 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë?
Stefan Lehne: Mendoj se Kosova ka bërë shumë përparim në shumë aspekte, por ka edhe shumë të meta. Nuk është vend i rregulluar. Dhe, disa nga gjërat që dëshiron t’i bëjë, janë ende të bllokuara nga çështja e statusit ende të pazgjidhur plotësisht.
Radio Evropa e Lirë: Për çfarë konkretisht e keni fjalën?
Stefan Lehne: Më konkretisht për perspektivën evropiane. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, dhjetorin e kaluar. Ka Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit [me BE-në], që ka qenë një fillim i mirë. Do të ketë liberalizim të vizave, që është një përparim i madh, edhe pse shumë i vonuar.
Por, përparimi drejt anëtarësimit në BE, drejt negociatave të zgjerimit, mbetet jashtëzakonisht i vështirë, sepse pesë vende të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. E, që Kosova të lëvizë përpara në këtë proces, duhet dakordimi i të 27 vendeve anëtare.
“Plani i BE-së nuk është krejtësisht ide e re”
Radio Evropa e Lirë: Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë mbeten po ashtu të larta, me gjithë përpjekjet e Bashkimit Evropian për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre qysh nga viti 2011. Tani po bëhet një tjetër përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje – përmes të ashtuquajturit plan të BE-së. Si e shini ju këtë plan?
Stefan Lehne: Siç e dini, ai ndjek pak modelin e dy Gjermanive të fillimit të viteve ’70. Është një ide që nuk është krejtësisht e re. Mendoj se [Wolfgang] Ischinger [ish i dërguari i BE-së për statusin e Kosovës] ka folur për të në vitin 2007. Por, përpjekjet e tanishme duket se kanë gjetur tërheqje më të madhe, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.
Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq është shprehur i hapur në këtë drejtim. Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti e ka pranuar, po ashtu, si bazë për negociata. Por, mendoj se shumë çështje mbeten të hapura. Vuçiq mendon se Asociacioni i komunave [me shumicë serbe në Kosovë] duhet të themelohet përpara angazhimit në këtë proces, ndërsa Kurti i sheh ndryshe prioritetet. Mendoj se ka ende shumë gjëra që duhen zgjidhur.
Por, ajo që është pozitive, është se të dyja palët duket se janë të gatshme të angazhohen në këtë proces në një mënyrë serioze.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ky plan do t’u jepte fund mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë?
Stefan Lehne: Nuk jam i sigurt. Ajo çfarë më shqetëson është se të dyja palët e paraqesin këtë si diçka të imponuar nga jashtë, nga BE-ja, nga SHBA-ja. Ato nuk e paraqesin atë si diçka që, në thelb, është zgjidhje e mirë për problemet. Sipas tyre, është diçka që nuk e duam, nuk na pëlqen, e urrejmë, por duhet ta pranojmë, sepse nuk kemi zgjidhje. Në të kundërtën, rruga drejt BE-së bllokohet, amerikanët nuk do të jenë të kënaqur e kështu me radhë.
Kjo nuk më mbush me shumë optimizëm. Sepse, nëse bëni diçka që ju imponohet prej dikujt tjetër, atëherë nuk ka gjasa që të jeni shumë konstruktivë në procesin e zbatimit. Ka shumë çështje që duhet të zgjidhen dhe kjo e zvogëlon optimizmin tim.
Radio Evropa e Lirë: A do të ishit më optimist nëse ky plan do ta përfshinte edhe njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë?
Stefan Lehne: Po, mendoj se shkon në këtë drejtim. Sipas dokumenteve që kanë rrjedhur, të dyja vendet do t’i zbatojnë parimet e Kartës së OKB-së, sa i përket integritetit territorial, pavarësisë, mospërdorimit të forcës kundër njëra-tjetrës, mosbllokimit të anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare… Ky padyshim se do të ishte një përparim i madh, por ai nuk e përfshin njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia. Kjo do të thotë se edhe vendet e tjera, që nuk e kanë njohur Kosovën deri tash, mund të hezitojnë të lëvizin në këtë drejtim.
Mendoj se, në thelb, janë tri motive për mosnjohjen e Kosovës. I pari përfshin vendet që, në përgjithësi, janë skeptike ndaj nismave perëndimore. Do të përmendja Kinën, Indinë, Afrikën e Jugut… Pastaj janë vendet që kanë një miqësi të veçantë me Serbinë. Kjo, qartazi, është Rusia. Deri në një masë ndoshta edhe Greqia. Dhe vijnë vendet që kanë vetë probleme me pakicat, çështje të pazgjidhura të statusit, kanë arsye të brendshme politike. Këtu e kam fjalën për Spanjën, Qipron, Rumaninë, Sllovakinë…
Pra, ka një përzierje motivesh. Dhe unë kam dyshime, që nëse Serbia nuk e njeh qartazi pavarësinë e Kosovës, këto vende që kanë probleme të mëdha të brendshme, si Spanja, Qiproja, do ta bëjnë të njëjtën gjë.
Pastaj është edhe anëtarësimi në OKB. Në parim, nëse Serbia nuk do ta bllokonte më Kosovën nga anëtarësimi në OKB, ky do të ishte një hap i madh përpara për Kosovën. Por, nuk mendoj se Rusia, në këtë kohë, kur është në luftë me botën perëndimore, nuk do ta bllokojë [Kosovën] në Këshillin e Sigurimit. Pra, edhe nëse Serbia do të ishte e gatshme ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, kjo nuk do të ndodhte, sepse Rusia nuk do ta lejonte.
“Asociacioni – një autonomi e kufizuar”
Radio Evropa e Lirë: Kosova është po ashtu nën presion për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Shumë në Kosovë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, shprehen të shqetësuar se ai do të krijojë një mini-shtet ose një tjetër Republika Sërpska. A do të ishte Asociacioni rrezik për sovranitetin e Kosovës?
Stefan Lehne: Varet tërësisht nga mënyra se si zbatohet. Mendoj se idetë themelore të marrëveshjes së vitit 2013 [për krijimin e Asociacionit] janë plotësisht në përputhje me kapacitetet e Kosovës për të funksionuar si shtet unitar. Do të ishte një lloj autonomie e kufizuar dhe mund të jetë me kompetenca të kufizuara. [Asociacioni] është diçka që Kosova e ka pranuar dhe më pas është bllokuar për arsye të ndryshme të brendshme. Është diçka që Kosova duhet ta zbatojë dhe varet tërësisht nga mënyra se si rregullohet.
Në vitet e fundit nuk e kam përcjellë shumë afër për t’ju thënë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por, është diçka që Kosova duhet ta sjellë në tryezë. Pa lëvizur në këtë drejtim, i gjithë procesi do të bllokohet.
Radio Evropa e Lirë: Problem kryesor në Kosovë janë kompetencat e tij ekzekutive. Si duhet të duket ky asociacion sipas jush?
Stefan Lehne: Nuk dua të futem në detaje dhe spekulime. Mendoj se [duhet të jetë] një autonomi e kufizuar. Sigurisht që duhet të jetë kuptimplotë. Komunat me shumicë serbe do të duhej të ishin në gjendje të organizonin vetë pjesë të përditshmërisë. Por, nuk duhet të jetë një Republika Sërpska, nuk duhet ta ketë mundësinë e bllokimit të funksionimit të shtetit të Kosovës.
Mendoj se ka shembuj të ndryshëm ku funksionojnë struktura të tilla, por varet nga mënyra se si zbatohen. Nuk dua të futem në detaje, sepse ka vite që nuk e kam përcjellë nga afër.
Radio Evropa e Lirë: Por, unë do të doja t’ju pyesja edhe një pyetje në lidhje me këtë. Kryeministri Kurti i referohet Asociacionit si “Ahtisaari Plus” dhe thotë se Kosova tashmë i ofron pakicës serbe mjaft të drejta dhe përfitime. A i ofron?
Stefan Lehne: Në vitin 2013, Kosova ka pranuar që të bëjë më shumë se paketa e Ahtisaarit. Paraardhësit e Kurtit janë angazhuar që të veprojnë në këtë drejtim. Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar e presin këtë nga Kosova. Komuniteti ndërkombëtar është i bindur se mund të bëhet në atë mënyrë që nuk e kërcënon ekzistencën apo funksionimin e shtetit të Kosovës. Çështja është se si do të zbatohet.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë gjasat që Asociacioni ta zgjidhë konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë?
Stefan Lehne: Jo plotësisht. Ka bagazh të madh historik në të dyja anët. Dhe, nuk ka gjasa që Kosova dhe Serbia të jenë miket më të mira në 10-15 vjetët e ardhshëm. Por, është një proces drejt normalizimit. Do ta zhbllokojë rrugën e anëtarësimit në BE si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë. Do ta lehtësojë shumë bashkëpunimin ekonomik mes dy palëve.
Mendoj se, në përgjithësi, është një gjë shumë pozitive, por nuk pres mrekulli. Nuk shoh një pajtim të madh. Mendoj se problemi është thellë në psikikën kombëtare në të dyja anët. Nuk ka gjasa të kapërcehet shumë shpejt.
“Çnjohjet nuk ndryshojnjë asgjë”
Radio Evropa e Lirë: Kosova njihet nga më shumë se 100 vende. Megjithatë, viteve të kaluara, ritmi i njohjeve është ngadalësuar. Pse mendoni se ka ndodhur kështu?
Stefan Lehne: Mendoj se Serbia ka bërë një fushatë shumë aktive për çnjohjen e Kosovës dhe ka pasur një sukses të kufizuar. Serbia beson se rreth 84 vende e njohin Kosovën, ndërsa Ministria e Jashtme e Kosovës thotë se janë 117 vende.
Shumë vende janë sjellë në një mënyrë shumë të paqartë. Kanë dërguar disa sinjale pozitive, pastaj i kanë tërhequr ato, pastaj i kanë konfirmuar… Mendoj se për një vend në Jugun Global kjo nuk është një çështje shumë e rëndësishme. Kur takojnë një ministër serb, thonë diçka tjetër, e kur flasin me një ambasador amerikan, thonë diçka tjetër.
Nuk mendoj se bën ndonjë dallim të madh nëse janë 100 vende apo 110 vende [që e njohin Kosovën]. Dallimin e bëjnë shtetet mosnjohëse të BE-së, sepse ato e bllokojnë përparimin.
Radio Evropa e Lirë: A paraqet ndonjë rrezik për Kosovën fushata e çnjohjeve e Serbisë?
Stefan Lehne: Mendoj se është e bezdisshme për Kosovën. Nuk ndryshon asgjë. Shtetet e rëndësishme, shumica e shteteve perëndimore që e kanë njohur Kosovën, nuk do të zhbinden nga zyrtarët serbë. Nëse Togoja e njeh Kosovën, nuk është shumë e rëndësishme. Pra, nuk mendoj se [fushata e Serbisë] paraqet kërcënim për Kosovën, por besoj se është shumë e bezdisshme.
Mendoj se është e rëndësishme për Serbinë që ta ndalojë këtë. Mendoj se plani që tani është në diskutim, do ta ndalojë këtë. Mendoj se dy palët do të angazhohen që të mos bëjnë ndonjë gjë të tillë në të ardhmen.
(Valona Tela, REL)