Prishtinë, 16 shkurt 2022 – Presidenti i Gjermanisë, Frank-Ëalter Steinmeier, i ka dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, një letër urimi me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Steinmeier ka thënë se Kosova dhe Gjermania kanë lidhje të ngushta politike, ekonomike e kulturore.
“… është kënaqësi e veçantë t’jua uroj përvjetorin e katërmbëdhjetë të pavarësisë së vendit tuaj. Vendet tona janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin në pikëpamje politike, ekonomike dhe kulturore. Veçanërisht afër na sjellin kontaktet e shumta personale, para së gjithash ato të diasporës kosovare në Gjermani”, thuhet në urimin e presidentit gjerman.
Steinmeier ka thënë se Gjermania e mbështet fuqishëm perspektivën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës i mbetet të luftojë me vendosmëri korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ai ka theksuar se kjo është parakusht për krijimin e perspektivës për të ardhmen e Kosovës.
“Gjermania e mbështet fuqishëm perspektivën e Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian. Në këtë kontekst një rëndësi të madhe merr realizimi me vendosmëri i agjendës së rëndësishme të reformave të qeverisë suaj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky do të jetë një faktor qendror në krijimin e perspektivave për të rinjtë në Kosovë, forcimin e ekonomisë, investimet e reja si dhe hapjen e vendeve të punës”, thuhet në urimin e presidentit Steinmeier.
Ai ka thënë se dialogu me Serbinë me gjasë është sfida më e madhe e politikës së jashtme të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar Presidentin Steinmeier dhe Gjermaninë për përkrahjen e Kosovës.
“Kosova është me fat që përgjatë rrugëtimit të saj sfidues ka pranë shtete si Gjermania dhe miq si Presidenti Steinmeier”, ka shkruar Presidentja Osmani në Facebook.
(r.m.)