Prishtinë, 27 maj 2021 – Në Kosovë po zhvillohet këto ditë stërvitja ushtarake “Defender Europe 21”, nën drejtimin e ushtrisë amerikane.
Stërvitja që po zhvillohet edhe në disa zona të qytetit të Gjakovës, është e rëndësisë historike për Kosovën, tha koloneli nga Forca e Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci në një bisedë për Zërin e Amerikës.
“Për Kosovën ka rëndësi të veçantë sidomos për faktin se për së pari herë Kosova pret një ushtrim të nivelit të tillë në territorin e saj. Sa për sqarim ushtrimi “Defender 21” është ushtrim që drejtohet nga ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë dhe qëllim kryesor ka rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet SHBA-ve dhe vendeve partnere si dhe ngritjen e gatishmërisë operacionale”, tha ai.
Koloneli Maqedonci thotë se përveç rritjes së bashkërendimit me partnerët, synimi kryesor i kësaj stërvitjeje në Kosovë është edhe vlerësimi i kapaciteteve të para të këmbësorisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Majori amerikan, Kyle Pernell, i cili ndodhet për herë të parë në Kosovë, ka detyrën e vëzhgimit të mbarëvajtjes së ushtrimeve për të dhënë në fund vlerësimin mbi kompaninë e parë e këmbësorisë.
Ai i tha Zërit të Amerikës se është shumë i kënaqur me punën e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke shprehur bindjen se kjo Forcë është në rrugë të mbarë për anëtarësim në NATO.
“Kurrë nuk kam punuar me një forcë tjetër të tillë profesionale që me të vërtetë dëshiron të bëhet më e mirë për çdo ditë, pjesëtarët e së cilës janë vërtetë të ngazëllyer kur dalin në punë dhe të bëjnë krejt çka është e nevojshme për të arritur të jenë më të mirët në fushën e tyre. Besoj 100 për qind se jemi duke ecur në atë drejtim me çfarë po shohim çdo ditë përgjatë gjithë trajnimit dhe çfarë po shohim ne si ekip i kombinuar gjatë procesit të vlerësimit, mendoj se po krijohen kushtet tash në mënyrë që synimi për anëtarësim në NATO të plotësohet”, tha ai.
Koloneli Maqedonci, thotë se në këtë proces, si edhe në vet ngritjen dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pazëvendësueshëm.
“Ne kemi një plan afatgjatë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kontribuar posaçërisht në shkollimin, edukimindhe trajnimin e pjestarëve tanë si në SHBA edhe këtu. Gjithashtu kemi edhe bashkëpunim të vazhdueshëm më Gardën Kombëtare të Ioëas e cila ka ndihmuar në vazhdimësi në ruajtjen dhe krijimin e partneritetit ndërmjet nesh”, tha ai.
Nënkoloneli i FSK-së, Albert Kuçi, shpjegon veprimtaritë kryesore të kësaj stërvitjeje.
“Operacionet kryesore të cilat janë planifikuar të realizohen gjatë kësaj kohe, janë operacione sulmuese, operacione mbrojtëse dhe opëracione të stabilitetit. Kryesisht janë operacione luftarake ku simulohen situata të ndryshme për të mundësuar trajnimin e njësive tona në operacione sulmuese, mbrojtëse dhe të stabilitetit. Cikli i trajnimit, përgatitjet dhe planifikimi kanë filluar shumë më herët, pra ne kemi filluar me trajnimin e kësaj kompanie në muajin janar 2020”, tbotë ai.
Ushtarja, Dafina Zhinipotoku, është pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga vitit 2019, dhe për herë të parë merr pjesë në një stërvitje të tillë.
“Një ditë e zakonshme është zgjimi në ora gjashtë në mëngjes, pastaj fillojmë me aktivitete të ndryshme deri kur mbarojmë në ora 22:00 në mbrëmje. Normalisht është pak sfiduese si për të gjithë ushtarët por pas çdo vështirësie prap gjejmë forcën të vazhdojmë përpara dhe është një përvojë shumë e mirë”, tbotë ajo.
Defender Europe 21, është stërvitja më e madhe ushtarake pas Luftës së Dytë Botërore. Këtë vit stërvitja shtrihet në tri zona kryesore, në rejonin e Baltikut, në rajonin Detit të Zi dhe në atë të Ballkanit Perëndimor. Në të marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 27 vende të ndryshme, ndërsa 16 vende janë pritëse, ndër to këtë vit edhe Shqipëria edhe Kosova.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)