Moskë, 18 shkurt 2022 – Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se të shtunën, 19 shkurt, do të mbahen stërvitje të reja ushtarake, të cilat do të mbikëqyren nga Presidenti i vendit, Vladimir Putin.
“Më 19 shkurt janë planifikuar stërvitje të forcave strategjike, të cilat do të mbahen nën mbikëqyrjen e Komandantit Suprem të forcave të armatosura të Federatës Ruse, Vladimir Putin, gjatë së cilave do të lëshohen raketa balistike dhe lundruese”, ka thënë Ministria të premten, më 18 shkurt.
Këto stërvitje zhvillohen në kohën e shqetësimeve se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për pushtimin e Ukrainës. Në to thuhet se do të marrin pjesë trupa dhe pajisje të forcave të hapësirës ajrore nga rajoni jugor, nga rajoni verior dhe nga Deti i Zi.
Këto njoftime vijnë disa orë pasi lideri autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka ka arritur në Moskë për të zhvilluar bisedime me Putinin, për të vendosur rreth tërheqjes së trupave ruse nga Bjellorusia kur të përfundojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake më 20 shkurt.
Pjesëmarrja e mbi 30,000 trupave në këto stërvitje e ka shqetësuar Perëndimin rreth qëllimeve të vërteta të Kremlinit për grumbullimin e trupave.
Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 130,000 trupa dhe pajisje ushtarake gjenden në zonat në kufi me Ukrainën.
Rusia ka insistuar se nuk ka plane për pushtim, por në të njëjtën kohë kërkon garanci për çështje të sigurisë në Evropë, përfshirë atë që NATO-ja të mos zgjerohet në shtetet si Ukraina, apo ish-republika tjetër sovjetike, Gjeorgjia.
Në kërkesat e Moskës ndaj Perëndimit përfshihen edhe ato që NATO-ja t’i japë fund aktivitetit ushtarak në Evropën Lindore dhe të tërheqë trupat nga Polonia dhe republikat baltike, Estonia, Letonia dhe Lituaniasi edhe që NATO të mos vendosë raketa në shtetet kjufitare apo në shtetet afër Rusisë.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë përgjigjur duke thënë se Ukraina ka të drejtë të zgjedhë aleatët e vet, mirëpo i kanë ofruar Rusisë mundësinë e negocimit rreth raketave dhe çështjeve tjera.
(REL)