Bruksel, 19 qershor 2023 – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje për shtensionimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo thirrje vjen në mes të rritjes së tensioneve mes dy shteteve pas arrestimit nga forcat serbe të tre policëve të Kosovës javën e kaluar.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, kanë nisur që nga fundi i majit.
“Kemi diskutuar edhe për situatën në Kosovë. Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit tonë të Kombeve të Bashkuara është i palëkundur. Forcat tona [të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR] do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të ofruar mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.”, tha Stoltenberg për gazetarët në Berlin pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Shefi i NATO-s po ashtu kërkoi nga të dyja palët që të ndalin çdo hap tjetër përshkallëzues dhe të kthehen menjëherë në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
As liderët në Kosovë, e as ata në Serbi duket se nuk janë shprehur të gatshëm të marrin pjesë në takimin e krizës të thirrur nga Bashkimi Evropian për këtë javë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel. Megjithatë, ai tha se do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.
Ky i fundit, ka deklaruar se pa kuptuar gjendjen e policëve, që sipas Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe, nuk do të vendosë nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.
Blloku evropian, ndërkaq, ka thënë se pret që palët të marrin pjesë pa kushte në takimin e thirrur nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.
Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 16 qershor ka deklaruar se “bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”.
(REL)