Bruksel, 11 tetor 2023 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se është e rëndësishme që numri i pjesëtarëve të misionit KFOR të rritet, për shkak të rritjes së tensioneve në Kosovë.
NATO-ja mori vendim të vendosë trupa shtesë në Kosovë, pas sulmit nga grupi paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës.
“Kemi parë rritje tensionesh, prandaj është e rëndësishme që NATO të rrisë prezencën në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg të mërkurën para samitit dyditor me ministrat e Mbrojtjes të shteteve anëtare në Bruksel.
Më 6 tetor, Gjermania njoftoi se në prill të vitit të ardhshëm do t’i dërgojë në Kosovë edhe rreth 150 ushtarë.
Vendimi i NATO-s për shtimin e trupave paqeruajtëse në Kosovë erdhi pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit mes sulmuesve që u barrikaduan në manastirin e fshatit me policinë Kasvs u vranë tre sulmues serbë.
Serbia grumbulloi trupat e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën, gjë që shkaktoi reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
Autoritetet e Kosovës e cilësuan sulmin si “tentim të Serbisë për ta aneksuar veriun e Kosovës”, porr Serbia i hodhi poshtë këto akuza.
Në mbledhjen e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s që filloi sot në Bruksel do të diskutohet edhe për situatën në Kosovë.
(r.m.)