Bruksel, 31 mars 2022 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha sot se forcat ruse nuk po tërhiqen por po ripozicionohen. Megjithëse Moska kishte deklaruar për një reduktim të operacioneve ushtarake rreth Kievit dhe veriut të Ukrainës, bombardimet kanë vazhduar. Ndërkohë, presidenti ukrainas kërkoi më shumë ndihma ushtarake nga perëndimi dhe vënien para drejtësisë të Rusisë, në tri video-lidhje me parlamentin australian, holandez dhe atë belg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se Rusia ka gënjyer vazhdimisht rreth qëllimeve të saj në Ukrainë, prandaj, siç u shpreh ai, aleanca gjykon veprat e jo fjalët e Moskës.
Jens Stoltenberg i bëri këto komente pas njoftimeve të Kremlinit për ulje të operacioneve ushtarake rreth Kievit, ndërsa bombardimet po vazhdonin.
Perëndimi e quajti këtë lëvizje të Rusisë një taktikë për t’u riorganizuar.
“Sipas të dhënave të zbulimit, njësitë ruse nuk po tërhiqen por po ripozicionohen. Rusia po mundohet të rigrupohet, rifurnizohet dhe të përcorcojë ofensivën e saj në rajonin e Donbasit”, tha zoti Stoltenberg në një konferencë shtypi në Bruksel.
Ai shtoi se trysnia ndaj Kievit dhe qyteteve tjera pritet të vazhdojë, duke sjellë më shumë vuajtje.
Udhëheqësi i NATO-s tha gjithashtu se alanca nuk është e bindur se Rusia po negocion në mirëbesim në bisedimet e paqes në Stamboll.
“Kemi parë pak vullnet nga pala ruse për të arritur një zgjidhje politike. Ajo që ne shohim është sulmi i vazhdueshëm ushtarak kundër Ukrainës dhe bombardimet e vazhdueshme të qyteteve”, tha zoti Stoltenberg.
Ndërkohë presidenti ukraians Volodymyr Zelensky, përsëriti thirrjet e tij për ndihmë në video-lidhjet me ligjvënësit australian, holandez dhe ata të Belgjikës.
“Nëse Rusia nuk ndalet tani, nëse Rusia nuk vihet para drejtësisë, disa vende tjera të botës me qëllime të ngjashme për të sulmuar fqinjët e tyre, mund të shohin mundësi për të zbatuar planet e tyre”, tha zoti Zelenskiy në parlamentin australian.
Ndërsa ligjvënësve holandezë u bëri thirrje që të dërgojnë më shumë armë për ushtrinë ukrainase.
Zoti Zelenskyy tha se armët që kanë marrë deri tani nuk janë armët e fitores ndërsa këmbënguli për mjete që do të siguronin qiellin mbi Ukrainë.
“Na duhen armë që e largojnë pushtuesin nga tokat tona”, tha zoti Zelenskyy në lidhjen e tij me parlamentin holandez.
Ndërsa në fjalimin e tij para ligjvënësve belgë, presidenti ukrainas akuzoi Rusinë për bllokimin e korridoreve humanitare në qytetin e rrethuar të Mariupolit.
Në muajin e dytë të luftimeve që kanë shkatërruar qytete dhe kanë detyruar largimin e mbi 4 milionë banorëve nga shtëpitë e tyre, zyrtarë amerikanë dhe evropianë thonë se presidenti rus Vladimir Putin u mashtrua nga gjeneralët e tij për situatën në terren dhe gjendjen e ushtrisë ruse.
Shefi i një agjencie britanike të inteligjencës, Jeremy Flemind, tha se ushtarët rusë janë të demoralizuar dhe se po refuzojnë të zbatojnë urdhrat.
Ai tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kishte kalkuluar gabimisht mundësitë e tij për të fitore të shpejtë ushtarake në Ukrainë.
“Kemi parë ushtarë rusë pa armë dhe moral, që refuzojnë të zbatojnë urdhrat, sabotojnë pajisjet e tyre dhe madje rrëzojnë aksidentalisht avionët e tyre. Edhe pse ne besojmë se këshilltarët e Putinit kanë frikë t’ia thonë të vërtetën, ajo që po ndodh dhe vlerësimet e gabuara duhet të jenë të qarta për regjimin”, tha drejtori i agjencisë britanike të spiunazhit elektronik.
Rezistenca e madhe e forcave ukrainase ka penguar Rusinë të marrë kontrollin e qyteteve të mëdha, duke përfshirë kryeqytetin Kiev.
Moska thotë se është e përqëndruar në çlirimin e rajonit të Donbasit, që përfshin dy provinca juglindore që kryesisht kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia nga viti 2014.
Në këtë pjesë të Ukrainës ndodhet qyteti port i Mariupolit, ku dikur banonin rreth 400 mijë njerëz.
Pas katër javë bombardimesh të parreshtura qyteti është shkatërruar.
Kombet e Bashkuara besojnë se mijëra njerëz kanë humbur jetën si pasojë e luftimeve.
(Zëri i Amerikës)