Bruksel, 21 nëntor 2022 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur zhgënjimin e tij për mosarritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave, dhe ka thënë se misioni i aleancës veri-atlantike në Kosovë, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent.
“Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike. Përshkallëzimi duhet të shmanget”, ka thënë Stoltenberg përmes një postimi në Tëitter, pas bisedës që ka zhvilluar me kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borell.
Vetë Borrell ka thënë pas takimit se BE-ja dhe NATO-ja janë të koordinuara dhe se misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX) është duke vëzhguar situatën nga afër.
Deklarata e tij vjen teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave, në një takim urgjent të thirrur nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
Josep Borrell e ka hedhur përgjegjësinë sidomos te pala kosovare për mosarritje të marrëveshjes.
“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, ka thënë Borrell.
Ai ka theksuar se mungesa e marrëveshjes krijon “një vakuum shumë të rrezikshëm për sigurinë, në situatë tashmë të brishtë”.
“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, ka thënë Borrell për gazetarët.
Por, Kurti ka thënë se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm dhe se ndërmjetësit e Bashkimit Evropian “kanë hequr dorë” nga propozimi i tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Ai ka theksuar se propozimi i BE-së që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës është i papranueshëm, “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Borrell dhe ka theksuar se Serbia do të mbështesë popullatën serbe në Kosovë.
(r.m.)