Stoltenberg: NATO është në Kosovë për të garantuar siguri dhe stabilitet

Vilnius, 11 korrik 2023 – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se është i gatshëm të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, teksa bëri thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

Presidenti serb Vuciq ka thënë më 6 korrik se do të kërkojë takim me Stoltenbergun pas samitit të NATO-s në Vilnius, dhe më pas, një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.

“Jam në kontakt të vazhdueshëm me [presidentin e Serbisë Aleksandar] Vuçiq dhe patjetër që jam i gatshëm të takohem. Jemi të shqetësuar për rritjen e tensioneve në Kosovë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shtensionojnë [situatën] dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë më tej situatën në rajon”, tha Stoltenberg.

Duke folur në konferencën për media para fillimit të samitit të NATO-s në Vilnius të Lituanisë, Stoltenberg përsëriti se NATO është në Kosovë për të garantuar siguri dhe stabilitet në rajon.

“NATO është aty për të garantuar siguri dhe stabilitet për popullin e Kosovës. Ne e zbatojmë mandatin tonë në mënyrë të paanshme. E shtuam praninë tonë për shkak të destabilitetit, dhunës dhe tensioneve që kemi parë për disa javë”, tha ai.

Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, NATO ka angazhuar 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë të dislokuar në Kosovë.

Udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s janë mbledhur në Vilnius të Lituanisë. Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.

Në samit nuk pritet të diskutohet fare për Kosovën, pavarësisht rritjes së tensioneve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Trazirat e fundit në këtë pjesë të vendit kanë çuar në sulme të protestuesve serbë kundër ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, por, megjithatë, Kosova është jashtë agjendës zyrtare të diskutimeve.

Që nga fundi i majit, serbët që jetojnë në komunat veriore të Kosovës, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po kundërshtojnë që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Ata po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Që nga ajo kohë, në veri janë shënuar disa incidente me shok-bomba dhe granata dore si dhe më 29 maj në Zveçan protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it.

Nga këto përleshje kanë mbetur të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët. Në mesin e ushtarëve të lënduar ishin 19 ushtarë hungarezë dhe 11 ushtarë italianë.

Tre nga ushtarë të Hungarisë ishin plagosur me armë zjarri.

Bashkimi Evropian i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet.

Për shkak të mospërmbushjes së tyre, BE-ja nga fundi i qershorit ka nisur të zbatojë disa masa ndëshkuese.

(REL)