Stoltenberg u kërkon Kurtit e Vuçiqi të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim

Bruksel, 8 nëntor 2022 -Sekretarit i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për “situatën e tensionuar në veri të Kosovës”.

“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.

Ai tha se NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilent për situatën atje.

Përmes një njoftimi për media, nga Zyra e Kurtit thanë se shefi i ekzekutivit kosovar i tha shefit të NATO-s se “bojkoti i ditëve të fundit është i nxitur dhe orkestruar nga Beogradi zyrtar dhe është rezultat i veprimeve të tyre të vazhdueshme destruktive në dialogun ndërmjet dy vendeve”.

Kurti e ka siguruat sekretarin Stoltenberg se Qeveria dhe institucionet e Kosovës “si gjithmonë do bashkëpunojnë, komunikojnë dhe bashkërenditen ngushtë me aleatët dhe partnerët e saj”.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përmes një postimi në Instagram tha se në bisedën telefonike me Stoltenbergun është shprehur se “Prishtina në mënyrë brutale po shkel Marrëveshjen e Brukselit përmes veprimeve të njëanshme”.

Sipas tij, Kosova po e bën këtë duke e suspenduar nga puna drejtuesin e policisë për rajonin e veriut, duke zbatuar vendimin “e paligjshëm” për targat e makinave dhe duke refuzuar që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Pavarësisht këtyre, Serbia dëshiron ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe është e përkushtuar për këtë”, tha Vuçiq.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara.

Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

Autoritetet në Kosovë e kanë akuzuar Serbinë se është duke bërë presion mbi serbët e Kosovës për t’u larguar nga institucionet.

Ndërkaq, Vuçiq ka thënë se supozimet që serbët po veprojnë me urdhër të Beogradit, “janë të pakuptimta”. Ai ka thënë se autoritetet e Kosovës kanë aplikuar “opsionin më të keq të mundshëm” kur bëhet fjalë për targat.

(REL)