Stradner: Vuçiq e pret momentin e duhur gjeopolitik që të hakmerret për vitet e 90-ta

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën në fjalimin e tij në OKB, është shprehur plotësisht antiperëndimor.

Vuçiq kritikoi dominimin e kapitalizmit perëndimor duke fajësuar Perëndimin për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, rënien e Jugosllavisë dhe bombardimin e NATO-s në vitin 1999 për t’i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës.

Ivana Stradner, ekspertja e fushës së sigurisë dhe informacionit dhe vëzhguese e gjendjes në Ballkanin Perëndimor, në një reagim në platformën “X”, tha se Vuçiq po përgatit hakmarrjen e tij për vitet ’90.

Sipas saj, presidenti serb po pret për këtë vetëm momentin e duhur gjeopolitik.

“Ashtu siç Putin akuzoi Perëndimin për rënien e Bashkimit Sovjetik dhe kaloi jetën e tij duke u përgatitur për hakmarrjen e 2022, Presidenti serb po përgatit hakmarrjen e tij për vitet ’90. Ai po pret vetëm momentin e duhur gjeopolitik”, shkroi Strander.

Vuçiq, deklaroi në New York se nuk ka zgjidhje efektive për problemet në Kosovë, derisa, sipas tij, të ndryshojnë rrethanat në botë dhe Serbia të mund të paraqesë kërkesat e saj në përputhje me Ligjin ndërkombëtar publik.

“Sikurse në botën moderne ende nuk ka kurë efektive për kancerin, e njëjta është për problemet tona sa i përket Kosovës. Për të mbajtur gjërat nën kontroll dhe që të jetë e mundur të jetohet – ky është obligimi ynë derisa rrethanat në botë të ndryshojnë, kur ne të jemi në gjendje të paraqesim kërkesa sipas normave të Ligjit ndërkombëtar publik”, tha Vuçiq.

Gjatë fjalimit në OKB, Vuçiq tha se nuk u respektua Karta e OKB-së, kur NATO-ja bombardoi ish-Jugosllavinë.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

(Telegrafi)