Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje afatshkurtra që do t’i ndihmonte ndonjë politikani të sigurojë pushtet. Kosova ka nevojë për politikanë që nuk mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, por për politikanë që i sigurojnë popullit mirëqenie afatgjate politike, ekonomike, sociale dhe, pse jo, edhe gjeostrategjike.
Platformat e partive politike dikush i llogarit si strategji nacionale. Por, nuk është kështu. Një shtet del serioz në sytë e botës vetëm atëherë kur arrin të përpilojë një strategji unike nacionale, duke integruar në një platformë të vetme pikëpamjet dhe idetë më autentike të gjithë spektrit politik.
Po, a e ka Kosova një strategji të tillë?
Po t’i pyesni liderët partiakë, ata do të përgjigjen me entuziazëm të papërmbajtur se veprimtaria politike që bëjnë ata mund të merret edhe si strategji nacionale. Pra, secili prej liderëve partiakë e llogarit veten strateg të çështjeve nacionale. Mjafton të ndiqet diskursi dhe retorika e tyre dhe do të vërehete kjo vetëmjaftueshmëri e liderëve tanë për t’u paraqitur, secili ndryshe nga tjetri, me ide e mendime të ndryshme. Kjo t’i kujton vijat e përrockave që e bartin ujin në drejtime të ndryshme, por nuk derdhen në njëpellg të vetëm.
Dialogu Kosovë-Serbi tash e dhjetë vjet nuk po arrin të gjejë një shtrat të duhur nga duhet të lëvizë strategjia nacionale e shtetit tonë. Secili lider politik që ulet në kolltukun e kryeministrit vjen me idenë se punët pararendëse kanë ecur keq, prandaj duhet ndryshuar kursin e bisedimeve me Serbinë.
Këtë po provon ta bëjë edhe kryeministri aktual, Albin Kurti, i cili në takimin e tij të parë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mundua ta paraqesë një vizion krejt tjetër mbi të ardhmen e raporteve me Serbinë. Ai i prezantoi katër pika në formë propozimesh, të cilat,sipastij, do të shërbenin si pikënisje të daljes nga qorrsokaku ku janë futur të dyja shtetet. Ndonëse pala serbe nuk u tregua e gatshme t’i pranojë këto ide-propozime të kryeministrit Kurti, dialogu Kosovë- Serbi, megjithatë, arriti të marrë vëmendjen diplomatike e mediatike në botë.
Paraqitja e kryeministrit Kurti me ide të reja, për probleme të vjetra, dëshmon se Kosova nuk e ka një strategji nacionale të parapërgatitur, e cila do të shërbente si busullë në dialogun me Serbinë.
Në mungesë të kësaj busulle, liderët tanë politikë imponojnë pikëpamjet e tyre që nuk marrin mbështetje më të gjerë në shoqërinë tonë. Ashtu siç po ndodh, edhe idetë e prezantuara të Kurtit në Bruksel, nuk po arrijnë të përqafohen si ide nacionale, por vetëm si ide partiake.
Partitë politike mund të kenë mendime të veçanta për tema të caktuara, kryesisht për çështje për të cilat vijnë në shprehje edhe orientimet ideologjike e programore të partive. Mirëpo, partitë politike nuk guxojnë të kenë dallime kaq të mëdha konceptuale sa i përket dialogut me Serbinë.
Nëse ia bëjmë një analizë të shkurtër dialogut të deritanishëm, mund të themi lirisht se Kosova ka humbur kohë të çmuar duke u munduar të bëjë kompromise në favor të një zgjidhjeje përfundimtare që do të rezultonte me njohjen reciproke. Por, kjo nuk ka ndodhur. Zakonisht kanë dominuar dy pikëpamje në raport me zgjidhjen e çështjeve të hapura me Serbinë.
Njëra pikëpamje, e përfaqësuar nga liderët Thaçi, Veseli, Mustafa, Limaj e Haradinaj, ka qenë për një kompromis që do të bëhej në koordinim me SHBA-të.
Pikëpamja tjetër, e përfaqësuar nga Albin Kurti, e ka ndjekur logjikën e qëndrimeve të forta ndaj Serbisë, duke u ndeshur herë- herë edhe me rekomandimet e Washingtonit.
Tani Kosova ndodhet në mes të kompromiseve dhe qëndrimeve të forta, pa harruar faktin se asnjë zgjidhje kreative nuk mund të bëhet pa mbështetjen e administratës amerikane.
Ka plot njerëz që mendojnë se Kosova duhet të ketë qëndrimet e veta, duhet të mbrojë kushtetutshmërinë dhe pacenueshmërinë tettotoriale e sovranitetin e saj, madje edhe me çmimin që të bien ndesh me Washingtonin.
Ka të tjerë që pretendojnë se Kosova është e pafuqishme të mbrojë parime e qëndrime, nëse kjo nuk bëhet në koordinim me Shtëpinë e Bardhë.
Nëpër dilema të tilla Kosova po kalon tash e dy vjet. Dy qeveri tëKosovës u rrëzuan pikërisht për shkak të mungesës së konsensusit për çështje që kanë të bëjnë me Serbinë dhe për pikëpamje që bien ndesh me pikëpamjet e administratës amerikane.
Sikur Kosova ta kishte një strategji të mirëfilltë nacionale, ky do të ishte një lehtësim shumë i madh, për arsye se edhe miqtë tanë ndërkombëtar do të njoftoheshin me kohë për kursin që duhet të ndjekë klasa politike. Tani diplomatët ndodhen para dilemave jo të vogla, sepse Prishtina zyrtare nuk flet me një zë. Pushteti ka një qëndrim, kurse opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile ka një qëndrim krejt tjetër.
Në një situatë të tillë humbësja më e madhe është Kosova, ndërkohë që partitë politike, garën e tyre, mund ta shndërrojnë në arenë ku matet rejtingu i secilës. Zakonisht, popullata e gjerë jo gjithmonë ka mirëkuptim për zgjidhje pragmatike të politikanëve, prandaj këta fundit, jo rrallë, parapëlqejnë formula që u pëlqejnë masave popullore, por nuk ofrojnë ndonjë zgjidhje përfundimtare.
Përfundimisht, Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje afatshkurtra që do të ndihmonin ndonjë politikani të sigurojë pushtet. Kosova, gjithsesi, ka nevojë për politikanë që nuk mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, por për politikanë që i sigurojnë popullit mirëqenie afatgjatë politike, ekonomike, sociale dhe, pse jo, edhe gjeostrategjike.
Prishtinë, 21 qershor 2021