Studentë shqiptarë në Amerikë mbështesin fëmijët me aftësi të kufizuara në Shkodër

Shkodër, 9 tetor 2024 – Një grup të rinjsh shqiptarë, që studiojnë në ShBA, të mbështetur nga filantropia dhe modelja e njohur Emina Çunmulaj, përmbyllën sot nismën e tyre për të mbështetur shkollën speciale “3 Dhjetori” për fëmijët me aftësi të kufizuar në Shkodër.

Studentja shqiptare Megi Rama, nismëtare e projektit, thotë se përmes garave sportive, panaireve me ushqime shqiptare, koncerteve artistike, takimeve me personalitete të njohura shqiptare në Amerikë, arritën të mbledhin fondet e nevojshme për ndërtimin e një dhome terapeutike dhe palestrën për nxënësit e kësaj shkolle.

“Kjo është një nisëm e një grupi rinor studentor, të cilët janë të gjithë në Amerikë, në New York. Të gjithë duam të kontribuojmë me qëllim që këta fëmijë të ndihen sa më të pranishëm në shoqërinë e sotme dhe me nxit zhvillimin e tyre akademik, social dhe fizik. E fillova e vetme projektin. Emina m’u bashkua. Pa ndihmën dhe mbështetjen e saj nuk do të kishim arritur të bëjmë një projekt të tillë me këto përmasa”, tregon ajo për Zërin e Amerikës.

Drejtoresha e shkollës speciale “3 Dhjetori” Enkeleida Mataj Egerçi thotë se disa vite me parë, kur Megi Rama ishte nxënëse në një nga shkollat e qytetit të Shkodrës, ajo kreu shërbimin komunitar në shkollën speciale “3 Dhjetori”.

Tani, pas disa viteve, si studente në Amerikë ajo rikthehet në këtë shkollë së bashku me Emina Çunmulajn, me projektin në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuar.

“Jam e emocionuar jo vetëm për mundësinë dhe ambientet që na kanë rikonstruktuar, por edhe për këtë histori, e cila për mua është një histori e mrekullueshme, një histori që duhet marrë si shembull nga shumë të rinj. Edhe ne si institucione duhet të kuptojmë që, kur studentët, nxënësit t’i ekspozojmë ndaj fenomeneve, t’i mirëpresim, t’i hapim dyert e institucioneve”, thotë ajo.

Emina Çunmulaj vlerësoi nismën e grupit të studentëve shqiptarë në Amerikë si një mbështetje për vendlindjen, për fëmijët dhe familjet në nevojë në Shqipëri.

Ajo thotë se shumë fshatra, me aq shumë bukuri dhe pasuri natyrore, po mbesin të shkretuara dhe pa shërbimet e nevojshme, dhe kjo ka shtuar numrin e familjeve në nevojë.

“Nevojat janë pafund, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Edhe në Amerikë ku ne jetojmë. Është një fondacion që mbështes në New York. Aty, kur isha herën e fundit, kemi pasë më shumë se 50 familje shqiptare që kanë ardhur për të marrë ushqim. Kështu që, nevoja është kudo. Tashti, ne si shoqëri e kemi për detyrë që t’i ndihmojmë ato kudo ku janë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Preshevë, Maqedoni dhe pothuajse edhe në diasporë ku jetojmë”, tregon Emina Çunmulaj për Zërin e Amerikës.

Sipas drejtuesve të shkollës, plotësimi me dhomën terapeotike dhe palestrën përmirësojnë standardet e mësimdhënies dhe aftësimit për fëmijët.

E hapur 41 vite më parë, shkolla speciale “3 Dhjetori” në Shkodër është ndër të paktat në rajon, me një përvojë të gjatë në trajtimin e fëmijëve me çrregullime të rënda të formave të ndryshme, nga klasa e parë deri në të nëntën.

(Zëri i Amerikës)