Kontaktet e regjistruara të botës shqiptare me botën frënge shkojnë mjaft herët, qysh në Kohën e Robert Guiscard-it në sh. XI, për të vazhduar pastaj me Anzhuinët dhe Karlin I në sh. XV. Personalitete të letrave frënge si P. Lavardin, P. Ronsard, M. Montaigne, A. De Lamartine e kishin shfaqur reverencën e tyre për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, duke u bërë në njëfarë dore frymëzues për shkrimtarë, studiues e historianë që do të merreshin pastaj me botën shqiptare. Studiues, shkrimtarë dhe udhëpërshkrues francezë e kanë drejtuar vëmendjen e tyre ndaj botës shqiptare në mënyrë pak më intensive në sh. XIX dhe sidomos në sh. XX. Pas P. Lavardin-it, do të vijnë të shquar si A. Dozon, F. Pouqueville, A. Boué, Hecquard, G. Louis-Jaray, J. Degrand, L. Rey, J. Godard, M. Roques, pastaj H. Boissin, G. Castellan, A. Bosquet, De Constant, A. Ducellier, M. Roux, P. e B. Cabanes, C. Gut, O. Daniel, G. Bonnet, N. Clayer, S. Métais, M. Sevignon, E. Faye, G. de Rapper, R. Dorlhiac e një radhë studiuesish të tjerë për të shfaqur interesimet e tyre për çështjet nga më të ndryshmet në botën shqiptare.
Në përgjithësi studimet albanistike dhe albanologjike në Francë kanë ndjekur rrugë të tjera zhvillimi nga ato në Itali apo në botën gjermanishtfolëse. Interesimet për shqiptarët dhe botën e tyre kanë qenë më intensive në kohën pas Skënderbeut dhe janë ndërlidhur me Historinë e Skënderbeut të Barletit të përkthyer dhe të përfolur gjerësisht, pastaj në kohën e Ali Tepelenës dhe të raporteve të tij me shtetin e Napoleonit, pastaj në valën e romantizmit dhe në fillim të shekullit XX, kur po përvijoheshin konturat e shteteve të reja të Europës, ndër to të Shqipërisë. Bie në sy se lëvizje me rëndësi si Lidhja e Prizrenit kishin tërhequr më pak vëmendjen e opinionit të atjeshëm, ndërkohë që ndërmarrjet e rëndësishme ekonomike në Ballkan pas Kongresit të Berlinit, si ndërtimi i hekurudhave, u bënë në njëfarë dore specialitet francez (hekurudha edhe sot quhet udha e frengit). Sigurisht që periudha e shtetit të pavarur të Shqipërisë kishte tërhequr vëmendjen e opinionit frëng në nivele të ndryshme. Deri në atë kohë mbisundonin udhëpërshkrimet me shënime të shumta, dëshmi dhe përshkrime të gjendjes, studime gjeografike, etj. shpesh duke depërtuar nga veriu përmes mjediseve serbe e malaziase, nga jugu përmes grekëve, të cilët kishin qenë më të pranishëm në opinionin kulturor frëng, kështu që jo rrallë bëheshin dhe bartës të ideve të formuara në ato mjedise, apo thjesht edhe duke i shënuar emërtimet në ato gjuhë. Megjithatë, deri nga fundi i luftërave ballkanike dhe themelimi e rikonfigurimi i shteteve në opinionin frëng mbisundonte ideja për tërësinë e botës shqiptare në Ballkan, ndërsa pastaj mbisundojnë vështrimet vetëm për shtetin shqiptar. Izolimi komunist shqiptar vetëm sa e rriti dendësinë e perdes së atillë, kështu që për pjesët e botës shqiptare të mbetura jashtë shtetit shqiptar të vitit 1913 sikur nuk bëhej fjalë, sikur ishin lënë në heshtje.
Në vitin 1901 ish-konsulli francez në Shkodër A. Degrand veprën e tij Souvenirs de la haute Albanie e niste kështu:
“Nuk është e lehtë ta ndash historinë e Shqipërisë së Epër nga errësira që e mbështjell; me provue me u ngjitë te burimet e saj është punë e vështirë, sepse ajo është aq ngushtë e lidhur me kohët mitologjike apo heroike, me të Ilirisë së Epër, saqë shkrihet në to“, f. 1.
Përfundimi i tij vinte me një shqetësim të veçantë:
“Nuk besoj të ketë në Europë një popull më pak të përgatitur për ta pranuar njatë dhuratë kaq të shtrenjtë, por nganjëherë të rrezikshme, që quhet liri, e të cilën të tjerë e kanë blerë me një çmim nga më të lartit dhe me skrifica nga më të dhimbshmet.”
Gabriel Louis-Jaray më 1913, pas vizitës së gjerë dëshmuese të vitit 1909 nëpër viset shqiptare duke u nisur nga Shkupi nëpër Ferizaj, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjakovë për të vijuar nëpër Lumë e Mirditë, pastaj në Shkodër e Tivar, e prej andej me anije në Jug për të parë të gjitha hapësirat shqiptare dhe për t’u ngjitur drejt Ohrit, Manastirit e Tetovës sërish në Shkup, duke përvijuar kështu hapësirën që ai e quante Shqipëri e panjohur (titulli i librit).
Vlerësimi i këtij vizituesi të interesuar dhe dëshmitari të ngjarjeve të atyre viteve vinte me një përfundim të prerë:
“Një gjuhë e përbashkët, një ndjesi shqiptare pak a shumë e zgjuar, e megjithatë gjithandej latente, një tip fizik, një territor; asnjë komb tjetër nuk përmbledh kaq veçori të përbashkëta për të gjithë bijtë e tij; gjithsesi, është një komb që po lind, dua të them që po rilind… mali dhe politika kanë mbyllur brenda kufijve dhe brenda vizioneve të ngushta fise që, deri tash, kanë qenë të painteresuara për një veprim të përbashkët shqiptar; por ngjarjet e viteve krejt të fundit i kanë përshpejtuar gjërat, i kanë ndryshuar pikëpamjet dhe i kanë ngjallur ndjesitë e përbashkëta. Më 1908 Shqipëria ishte ‘en puissance’; ajo nuk ishte bërë krejtësisht e vetëdijshme për veten; më 1912 shqiptarët e afirmojnë fuqinë e tyre, kohezionin e tyre dhe kombësinë e tyre duke hedhur poshtë shtypjen turke dhe duke hyrë fitimtarë në Shkup“, f. 195-196.
Përshtypjet e tij flisnin për një energji dhe entusiazëm, për lëvizje shumë të ndryshme nga ato që kishte hetuar konsulli i përmendur një dekadë më parë.
Në vitet e mëtejme, më 1915 e sidomos më 1918/19, pas prerjes së kufijve në dëm të shqiptarëve dhe në dobi të fqinjve të veriut e të jugut, ishin bërë diskutime edhe në opinionin e gjerë lidhur me pretendimet e të tjerëve edhe për atë pjesë të Shqipërisë. Ato kishin marrë përmasa të atillë sa që kryetari i Komisionit të studimeve për konturat e Europës së Re më 1918/19, gjeografi Jean Brunhes ishte detyruar t’ua kujtonte anëtarëve se Shqipëria tashmë kishte qenë dëmtuar ndjeshëm, i ishin marrë Kosova, Rrafshi i Dukagjinit e Çamëria, prandaj nuk duhet të ndahej më tej. Të tilla diskutime po bëheshin në vigjilien e Konferencës së Versajës, pas së cilës bota shqiptare përtej kufijve mbeti e heshtur në opinionin europian dhe francez. Për aspekte të këtilla na kanë folur dhe studimet e z. Gargano, të z. Popescu e të tjerë në disertacionet e tyre apo në botime të veçanta.
Ami Boué, Auguste Dozon e të tjerë në Francën e sh. XIX tashmë kishin sjellë vepra me vlerë për botën shqiptare, i pari me shënime etnografike-gjeografike e kulturo-historike, i dyti me shumë vlerë për folklorin dhe sidomos Gramatikën që për shumë gjatë do të mbetej e vetmja frëngjisht, përtej vlerave të pamohueshme e të shumëfishta të udhëpërshkruesve të mbërthyer në diskursin e tyre midis dëshmisë, përshkrimit shkencor dhe frymëzimit letrar, sillen vlera studimore me ndikim më të gjerë, ndërsa romanisti i shquar Mario Roques kishte meritën e madhe të risillte para opinonit interesimin për studimet gjuhësore për shqipen, sidomos në aspektet e filologjisë historike, me çka u bë dhe një nga themeluesit e kësaj disipline albanistike, ndërsa A. Legrand solli bibliografinë e madhe. Konferenca e Shkodrës e vitit 2007 për bazë i kishte këto aspekte të studimeve shqiptare në Francë. Vendosja e studimeve për shqipen në INALCO, për çka do të na flasë më gjerësisht profesor Plangarica, ishte po ashtu një mundësi e mirë për të hapur horizontet e dijes në Francë lidhur me gjuhën dhe kulturën e popullin shqiptar. Duhet të themi se atje gjithnjë ishte mbajtur parasysh si prioritare lidhja me përkatësinë shtetërore.
Në fillim të viteve ’70 të sh. XX në INALCO kishte hapësirë për studimet e gjuhës shqipe, drejtuesi i atyre studimeve H. Boissin kishte njohuri jo të pakta për Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi, kishte përvoja të përvitshme të vizitave të tij në vend, megjgithatë, në opinionin e gjerë nuk dihej shumë për realitetin e tyre. U botuan vepra me vlerë si Gramatika e H. Boissin-it (vetëm botim privat dhe pa qarkullim të rregullt), Bibliografia e madhe e O. Daniel-it, monografia e G. Bonnet-së për latinizmat e shqipes, studimet e Duchet-së për gjuhën standarde dhe për leksikun, ato të autorëve të mëvonë për rasët, etj. u rritën interesimet edhe përtej INALCO-së.
Hulumtime serioze dhe të rëndësishme për botën shqiptare po ndodhnin dhe nëpër qendra të tjera e në ndërlidhje me interesa përtej gjuhës, siç ishin ato të bizantologëve, të gjeografëve dhe të historianëve të periudhave të ndryshme, ndër ta veçohet vepra e arkeologut A. Rey, për të cilin mund të mësojmë më shumë nga Z. Nallbani, e bizantologut të madh dhe historianit të Shqipërisë mesjetare A. Ducellier, e historianëve të lashtësisë si P. Cabanes, e historianit të Ballkanit G. Castellan, vepra e gjerë substanciale për shqiptarët në ish-Jugosllavi dhe studimet e gjeografit M. Roux, të etnografit G. de Rapper, të historianes së ideve dhe të lëvizjeve të N. Clayer e të shumë të tjerëve tanimë botërisht të njohur në kohën tonë.
Në fushën e letrave do të priten vitet ’70 për të parë një interesim pak më thelbësor për krijimtarinë e këtij populli, gjithnjë brenda kornizës shtetërore me Migjenin e sidomos me Kadarenë, për ta shtrirë më vonë logjikën që nuk pushonte së përsërituri A. Bosquet – përkatësia e letërsisë shkon me gjuhën.
Informacione jo të shumta për letërsinë shqipe mund të gjendeshin nëpër botime të natyrës enciklopedike, por edhe ato ishin shumë të pakta. Interesimet që zgjoi vepra e I. Kadaresë bënë që të shtroheshin pyetje pak më të mëdha për ato njohje. Hapja që vinte nga Prishtina përmes Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ku mund të merrnin pjesë qysh nga fillimi të interesuar nga Franca, i zgjeroi sadopak horizontet e interesimit dhe hapi një dritare për njohjen edhe të realiteteve të Kosovës.
Shpërthimi i vitit 1981 në Kosovë solli në vëmendje të opinionit francez në mënyrë brutale një realitet të harruar, nëse jo të heshtur. Brutaliteti i shtypjes së lëvizjes studentore e popullore që po kërkonte të drejtat e veta nuk dukej i pranueshëm në opinionin liridashës francez të kësaj kohe, kështu që u ndje e nevojshme të jepeshin dhe shpjegime historike për arsyet e një gjendjeje të atillë. Shkrimet që synonin të jepnin shpjegime që do ta arsyetonin atë reagim qenë më të shumta nga të interesuarit për fatin e Jugosllavisë dhe serbofilët jo të paktë, si artikulli i Michel Obin-it lidhur me mitin serb të Kosovës dhe me historinë ashtu si ishte paraqitur ajo, pra me një “të drejtë historike serbe mbi Kosovën“, që te ne duhej të përkthehej si vështrim miratues për reagimet ashtu brutale të autoriteteve. Historiani i Shqipërisë mesjetare, bizantologu i shquar nga Tuluza Alain Ducellier ishte përpjekur të jepte një shpjegim më të nuancuar dhe të tregonte se e vërteta historike ishte ndryshe nga ajo që paraqitej, porse vërente se kjo nuk ishte e lehtë, për shkak se në Francë ishte krijuar një atmosferë tjetër, “shtypi boton në shtyllat e tij vetëm materialet e atyre që përkrahin ‘tezën serbe‘, që konsiderohet e vetëkuptueshme, prandaj çdo zë që nuk pajtohet me të, mbetet i izoluar dhe duket si i frymëzuar nga një ‘albanofil’ që konsiderohet i dyshimtë a priori“. Kolegë të afërt me historianin më kanë treguar se reagimi i tillë i Ducellier-së ishte botuar te gazeta e madhe Le monde vetëm me një vonesë prej 14 muajsh. Kuptohet që mungesa jonë në komunikimet me mjedise kaq të rëndësishme për zhvillimet europiane, ku gjithsesi përkasim, ka lënë hapësira të zbrazëta. Leximi i kujdesshëm i kësaj literature do të na bënte të mundshme të kuptojmë dhe gjëra që nuk kemi mundësi të marrim vesh drejtpërsëdrejti, si ta zëmë shënimi në një fjali të shkurtë nga Michel Sivignon, studiues i botës greke, në veprën kolektive Histori e Adriatikut të vitit 2001 (përgatitur nga P. Cabanes e të tjerë, të përkthyer shqip më 2005), si kjo: “Mbase po ecet drejt një ndarjeje të Kosovës sipas modelit boshnjak“. A kemi qenë të vëmendshëm për indikacione të tilla? Do të jenë ato vetëm reflekse personale, apo mbështeten në informacione të natyrave të tjera, nuk e dimë?
Persistenca e lëvizjes paqësore dhe përshkallëzimet e represionit bënë që opinioni francez të mos mbetej indiferent, e kjo nxiti dhe një shkallë të re interesimesh intelektuale, shkencore e hulumtuese, të shoqatave për të drejtat e njeriut, të opinionistëve të revoltuar për botën shqiptare në vitet ’90 e më tej. Kështu kemi dhe një interesim të veçantë për zhvillimet kulturore e letrare, përkthimet e para të letërsisë që zhvillohet në hapësirat jashtë Shqipërisë londineze dhe për tërësinë e kulturës shqiptare. Duket se edhe studimet për shqiptarët, për gjuhën, për kulturën dhe për tërësinë e botës shqiptare, përtej ndarjeve të shumëfishta frymëzënëse shtetërore e të tjera, po hyjnë në një fazë të re cilësisht dhe sasiisht. Dhe duhet të themi po ashtu mbase përtej ndarjeve politike në të djathtë e të majtë.
Vitet ’90 të sh. XX bashkë me rrëfimet për aparthedin të dëshmuar nga vetë intelektualët frëngë, nga shoqatat për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut, nga shoqatat fetare të krishtera, nga sindikatat e nga veprimtarët politikë, bashkë me historinë e qëndrestarisë paqësore, të veprimit të tërë sistemit shkollor jashtë godinave dhe sistemit arsimor shtetëror në Francë po vinte dhe historia e veprimtarëve të kulturës, e letërsisë dhe e frymës që sundonte ndër ne në përpëlitjet për çlirim. E tërë kjo i dha një shtysë të re interesimit për letërsinë, kulturën dhe dijen shqiptare në përgjithësi, të Kosovës në veçanti. Ndodhte një dialog specifik në rrethana gati surreale. Mendimtarë theksimisht paqësorë po bëheshin përditshëm të pranishëm në një mjedis me halle ekzistenciale. Mendoj se kjo ka sjellë një bazë të re për dialog dhe bashkëpunim. Kuptohet, nuk duan harruar në asnjë ças ndihmesat që janë dhënë dhe nga mjedise të tjera shqiptare, sidomos nga Tirana, nga Shkupi, duke superuar kështu dhe copëzimet kulturore midis nesh.
Në këto rrjedha po rritet dhe shtresa shumë e vlerësuar e përkthyesve nga frëngjishtja, por edhe e atyre nga shqipja.
Prishtinë, 29 tetor 2021
(Fjala e hapjes së Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Studimet për shqiptarët në Francë), organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës)
Mendoj se Akademiku Rexhep Ismaili në këtë parashtresë duhej t’i kishte forcuar tonet kritke ndaj politikës proserbe të shtetit Francez gjatë viteve 1878-1999, politikë që shkaktoi dëme të pallogaritshme ndaj fatit të popullit shqiptar të Tivarit, Ulqinit, Tuzit, Hotit, Grudës, Kosovës, Rafshit të Dukagjinit, Dibrës, Tetovës, Shkupit, Camërisë, etj. Sjellja jonë për të mos ua prishur qejfin miqve, na ka kushtuar shumë. Në politikë dhe mund të lejohet shprehja e butë e dëmeve, kurse në shkencë, mendoj se duhet thënë troc e vërteta dhe duhen kritikuar pasojat e saj shaktërrimtare…