(Mimoza Picari, Zëri i Amerikës)
Në një studim të drejtuar nga dy profesorë Dr. Viktoria Kologna dhe Dr. Niels G. Mede përkatësisht nga Universiteti i Harvardit dhe Zyrihut për besimin e publikut te shkenca dhe shkencëtarët, Shqipëria renditet e fundit për besimin tek shkencëtarët. Studimi u shtri në 67 vende të botës, dhe analizoi përgjigjet e afro 71 mijë e 500 individëve, ku me 1 pikë është vlerësimi më i ulët dhe 5 më i larti. Në rang botëror besimi te shkencëtarët rezulton sipas këtij studimi 3.62.
Shqipëria renditet krah Bolivisë dhe Kazakistanit për besimin e ulët te shkencëtarët. Nivelin më të lartë e kanë Egjipti dhe India.
Mes 239 kërkuesve shkencorë të këtij studimi ishin dhe Ani Bajrami dhe Renata Tokrri nga Shqipëria. Ato i mbështetën rezultatet për Shqipërinë bazuar në të dhënat që u morën nga një grup prej afro 340 individësh të kategorive dhe niveleve të ndryshme arsimore dhe moshore. Mbledhja e të dhënave për Shqipërinë u financua nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Për Zërin e Amerikës Ani Bajrami, pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës, duke analizuar gjetjet e këtij
studimi për Shqipërinë, nënvizon arsyet e besimit të ulët të qytetarëve shqiptarë te shkenca dhe shkencëtarët.
“ Nga shpjegimet që mundëm të jepnim në artikull, shkencëtarët në Shqipëri, nuk realizojnë dy hallka të rëndësishme në procesin shkencor, komunikimin me publikun mbi rezultatet shkencore dhe pjesëmarjen e tyre aktive në politikbërje”- u shpreh Ani Bajrami pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT.
Pas rezultateve të studimit kërkuesit e çdo vendi përpunojnë në mënyrë të pavarur shkaqet e renditjes së vendeve të tyre. Për këtë arsye aktualisht nuk ka të dhëna se përse Egjipti dhe India renditen të parat për shkallën e lartë të besimit te shkencëtarët.
Në komentet rreth studimit kërkuesja shkencore Ani Bajrami veçon rrezikun që sjell kundërvënia e njerëzve ndaj shkencës.
“ Këtu sjell si shembull rastin e mosbesimit ndaj vaksinës antiCovid -19 në pandemi apo ndaj ndryshimeve klimaterike. Ky antagonizëm me shkencën bën që jeta e individit të rrezikohet”- vijoi Ani Bajrami pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT.
Studimi mbi shkallën e besimit te shkenca dhe shkencëtarët, si në nivel botëror ashtu dhe në rastin e Shqipërisë, vë në dukje se qytetarët në shumicë dërrmuese do donin një pjesëmarrje aktive të shkencëtarëve për çështje që i shqetësojnë.
“Qytetarët shqiptarë e dëshirojnë një pjesëmarrje aktive të shkencëtarëve, sidomos në ato çështje që i shqetësojnë siç janë reduktimi i varfërisë dhe përmirësimi i cilësisë së shëndetit”- u shpreh Ani Bajrami pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT.
Një tjetër aspekt i studimit lidhet me faktin se qytetarët nuk dëshirojnë në shumicë që shkencëtarët të kenë ndikim në teknologjinë ushtarake. Kjo mund të shpjegohet me aktualitetin e luftrave në botë dhe pasojat dramatike në popullatë.
Artikulli për nivelin e besimit të publikut te shkenca dhe shkencëtarët, janë botuar në databazë-n e artikujve shkencorë ende të pabotuar, dhe në muajin maj, të dhënat e plota pritet të botohen në revistën shkencore Nature Scientific Data.
Mbështetur në studim, sipas kërkuesve shkencorë lajmi i mirë për të ardhmen është që në rang global besimi te shkencëtarët është mbi 50%.
(Zëri i Amerikës)