Shkrimtarë dhe studiues shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria u bashkuan sot në qytetin e Shkodrës në përpjekje për të zgjeruar bashkëpunimin dhe për të promovuar librin e shkrimtarit dhe veprimtarit nga Rozhaja e Malit të Zi, Ali Daci, libër ky që titullohet “Shtigjet e përgjakura”. Vetë autori i libri nuk ishte i pranishëm për shkak të një sëmundjeje të papritur, që e detyroi të trajtohet në spitalin e Pejës.
Kryetari i shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, studiuesi Ismet Azizi, tha se libri flet për vrasjen e 21 refugjatëve kosovarë në Malësinë e Rozhajës gjatë dëbimit të tyre me dhunë nga forcat serbo-malazeze, në periudhën e luftës në Kosovë.
“Asht ma tepër se një libër, asht dëshmi, sepse vetë autori ka qenë dëshmitar i atyre ngjarjeve ku, për herë të parë në botë, refugjatët kosovarë vriten nga një ushtri e atij shteti ku kërkojnë shpëtimin. Kjo ka ndodhë në krahinën e Rozhajës dhe, në vend që të kërkojnë shpëtimin, ata kanë gjetë vdekjen nga ushtria serbo-malazeze e atij shteti”.
Për profesorin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Istog të Kosovës, poetin Nuredin Imeraj, edhe pas kaq shumë viteve nga masakra e Rozhajës, shqiptarët vazhdojnë të keqtrajtohen në trojet e tyre në Mal të Zi.
“Asht një vend ku shqiptarët po asimilohen dhe janë asimilu ndër vite. Mirëpo, falë Ali Dacit asht arritë që të ruhet një numër simbolik dhe ta mbajnë një shkollë shqipe në Rozhajë. Ka një numër të vogël të nxanësve shqiptarë që e kanë rujt kulturën, traditën edhe gjuhën me fuqinë e vet dhe me angazhimin, me plot pengesa prej shtetit malazez”.
Botuesi i gazetës “Alpet”, e cila botohet në Tiranë, Ramiz Lushaj, vlerësoi përpjekjet e studiuesit nga Rozhaja, Ali Daci, për të dokumentuar një nga momentet më tragjike të genocidit serb kundër shqiptarëve të Kosovës.
“Vetëm personalitete të tilla si Ali Daci, që ne jetën e tyre, në rrugën e tyre, në dejet e tyre kanë gjak dhe frymë shqiptarie, mund të përgatisin dhe të botojnë vepra të tilla, që janë memorie historike për kombin”.
Ndërkohë, studiuesit nga Kosova dhe Shqipëria apeluan për një mbështetje më të madhe nga qeveritë e të dy vendeve për shkrimtarët, artistët dhe studiuesit për të mundësuar bashkëpunimin mes tyre në një shkallë më të gjërë se deri tani. (Pëllumb Sulo/Zëri i Amerikës)