Banka e Shqipërisë hapi sot punimet e workshopit të pesëmbëdhjetë vjetor të Kërkimeve Ekonomike për Europën Juglindore.
Në fjalën e hapjes, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se tema që mbizotëron sot diskutimin e politikës monetare, është shqetësimi për inflacionin e vërejtur së fundi dhe jetëgjatësinë e tij. Zhvillimet e fundit inflacioniste i kanë ndarë akademikët dhe bankierët qendrorë në dy kampe që mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta.
Në njërën anë janë ata që mendojnë se inflacioni aktual është një fenomen i rrezikshëm që rrezikon të nxisë një situatë inflacioniste e rrjedhimisht kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme për të zhbërë politikat e bilancit e rritjen e normave të interesit. Në anën tjetër, qëndron grupi i cili mendon se zhvillimet aktuale të inflacionit janë fenomene të përkohshme, të nxitura nga problematikat e ofertës që reflektojnë efektet negative të pandemisë. Sipas Sejkos, këto pikëpamje diametralisht të kundërta ndërmjet ekonomistëve tregojnë se puna për përmirësimin e modeleve të inflacionit nuk duhet të ndalet, sidomos kur edhe pas gjithë këtyre viteve pune dhe kërkimi për njohjen e fenomenit të inflacionit përsëri kemi dyshime dhe qëndrime të dyzuara.
“Pasiguria e lartë për prodhimin dhe shpërndarjen janë faktorë që mbajnë peng rimëkëmbjen. Pandemia duket se ka ngritur barriera për globalizimin dhe kjo pritet të ketë efekte të rëndësishme në ekonomi. Kombinimi i këtyre dy efekteve e ka dhënë ndikimin e vet të menjëhershëm te çmimet, duke nxitur rritjen e inflacionit si pasojë e këtyre efekteve të ofertës. Megjithatë, ky nuk është një konkluzion i qartë. Jo pak zëra nga bota akademike dhe ajo e bankingut qendror mendojnë se inflacioni mund të jetë efekt edhe i politikave ekspansioniste të bankave qendrore. Natyrisht qëndrimet e kundërta vijnë si rezultat edhe i paqartësive mbi efektet, gjeografinë dhe masën me të cilën pandemia ka prekur ekonomitë. Prandaj studimet mbi efektet e pandemisë duhet të vazhdojnë. Ndërkohë, që është e qartë se të gjitha modelet, sado të mira të jenë, kanë nevojë për interpretim nga këndvështrimi i ngjarjeve të momentit dhe fenomeneve mbisunduese të kohës,” tha Sejko.
Sipas tij, goditja që pandemia shkaktoi dhe efektet e saj do të vazhdojnë të mbeten në agjendat e kërkimit për një kohë të gjatë edhe pas mbarimit të saj. Megjithatë, ai vuri theksin te rëndësia për të fokusuar punën kërkimore te fenomene të tjera që pritet të keni ndikim të rëndësishëm në mjedisin ekonomik.
“Zhvillimet e vitit të fundit tregojnë se agjendat e kërkimit të bankave qendrore janë pasuruar me studimin e rreziqeve të tjera, si ato që lidhen me ndryshimin e klimës e mjedisin, rreziqet demografike, digjitalizimi dhe monedhat digjitale etj. Këto janë identifikuar si sfida të mëdha e afatgjata për ekonominë globale dhe autoritetet e çdo vendi. Banka e Shqipërisë ka filluar punën për krijimin e infrastrukturës për modelimin dhe analizën e këtyre fenomeneve. Është e rëndësishme që për këto tema të mos mendohet vetëm në formën e testimit të hipotezave apo diskutimeve akademike, por të mendohet më shumë në kuadrin konkret të politikëbërjes dhe vendimmarrjes,” u shpreh Sejko.
Workshop-i i XV të Kërkimeve Ekonomike të Evropës Juglindore, do të zhvillohet online më datat 6 dhe 7 dhjetor dhe në të do të prezantohen rreth 20 studime rreth çështjeve që prekin temat më aktuale të diskutimit për ekonominë dhe sektorin financiar.
https://www.monitor.al/studiuesit-e-bankave-qendrore-te-rajonit-diskutojne-rreth-dilemave-te-inflacionit/
“Revista Monitor”