Tiranë / Podgoricë, 3 nëntor 2023 – Një stuhi me erëra të forta dhe shi të rrëmbyeshëm e ka goditur Shqipërinë dhe Malin e Zi të premten, duke shkaktuar përmbytje dhe duke shkulur pemë, e cila pritet të zgjasë edhe gjatë fundjavës.
Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, lumi Lana doli nga shtrati duke shkaktuar përmbytjen e disa bizneseve dhe banesave në katet e para të ndërtesave.
Një punonjës i Policisë, 37 vjeç, pësoi lëndime në kokë pasi u godit nga një objekt që ra si pasojë e erërave të forta.
Autoritetet vendore në Tiranë kërkuan që qytetarët të tregojnë kujdes në 24 orët në vijim dhe t’i kufizojnë lëvizjet e panevojshme derisa moti të qetësohet. Shiu i madh shkaktoi rrëshqitje dheu. Stuhia ka shkaktuar dallgë të forta duke pezulluar lundrimin e anijeve të vogla.
Era e fortë ka shkulur pemët në disa qytete dhe ka dëmtuar automjetet e parkuara buzë rrugëve.
Tirana, Durrësi, Elbasani, Lezha dhe Fushë-Kruja vlerësohen si zona me rrezik të lartë, tha Policia e Shqipërisë.
Instituti i Gjeoshkencave i Shqipërisë tha se reshjet do të vijojnë me intensitet edhe gjatë fundjavës, ndërsa përmirësim pritet në fillim të javës që vjen.
Erëra me shpejtësi mbi 190 km/h në Mal të Zi
Në Mal të Zi, ndërkohë, një erë jugore me forcë uragani, e shoqëruar me shira, arriti shpejtësinë mbi 190 kilometra në orë.
Meteorologu Dushan Paviçeviq tha për Radion Evropa e Lirë se era më e fortë është regjistruar në Nikshiq, i cili është rreth 55 kilometra larg kryeqytetit.
“Kishte erëra me shpejtësi më të madhe se 140kmh dhe shkulma të erës afro 200khm. Shkulma të forta ka pasur edhe në Podgoricë. Supozohet se ka pasur erëra më të forta, por stacione matëse nuk kemi gjithandej”, tha ai.
Në disa qytete, era ka shkulur pemët, ka prishur çatitë dhe në bregdet ka përmbytur varkat.
Siç raporton portali “Vijesti”, një varkë me vela është përmbytur në Tivat. Dallgët ishin disa metra të larta dhe kalonin muret mbrojtëse prej guri.
Hyrja në qytetin e vjetër të Kotorrit është vërshuar, ndaj janë vendosur pontone metalike. Për shkak të rrugëve të përmbytura dhe pemëve të rrëzuara, lëvizja në vendbanimet e Kotorrit, Dobrota, Risan dhe Perast është e vështirë.
Instituti Hidrometeorologjik paraprakisht shpalli alarmin e kuq, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëroi qytetarët për rreziqe të mundshme nga stuhitë në rrugë dhe në bregdet.
Në orët e mbrëmjes pritet dobësim i reshjeve dhe erës, njofton Instituti.
Trafiku ajror u ndërpre për shkak të stuhisë. Një pjesë e fluturimeve në aeroportet e Podgoricës dhe Tivatit janë anuluar.
(REL)